• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ademi: Neve na takon legjitimiteti te komuniteti joshumicë

Ademi: Neve na takon legjitimiteti te komuniteti joshumicë

Shkup, 11 maj 2024 (MIA) - Tani jemi të përqëndruar në konfirmimin e rezultateve nga zgjedhjet. Ajo që na gëzon është se jemi fitues absolut me 19 mandate. Vlerësojmë se legjitimiteti te komunitetet joshumicë na takon neve.

Këtë e deklaroi Arbër Ademi, shef i shtabit zgjedhor të Koalicionit Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI-ja, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë opozite do të jetë BDI-ja, duke marrë parasysh se pothuaj i sigurtë është koalicioni i VMRO-DPMNE-së me VLEN.

Sipas tij, çështja për legjitimitetin u konfirmua edhe në teorinë politike edhe përmes praktikës në shoqëritë heterogjene, ku, siç tha, "duhet të merret parasysh edhe vullneti i qytetarëve që nuk janë shumicë. Ai shtoi se ky është thelbi i Marrëveshjes së Ohrit dhe i të gjitha instrumenteve të parapara me atë marrëveshje, duke përfshirë edhe Shumicën e Badenterit ose shumicën e dyfishtë.

Lidhur me pretendimet për hyrje në Qeveri të oponentëve të tyre nga VLEN, Ademi tha se ata vet kanë deklaruar se të drejtë për negociata në Qeveri ka ai që ka një votë për tepër.

"Thanë se ata që kanë votë më tepër kanë të drejtë të negociojnë për qeverinë e ardhshme. Ata, po ashtu, thanë se nëse fitojnë një votë më pak, do të japin dorëheqje dhe se tashmë i kanë verifikuar ato dorëheqje nëse humbin në zgjedhje. Edhe vet deklaratat e tyre derisa ka zgjatur fushata qartë konfirmon se te kush është legjitimiteti - te fituesi tek komuniteti joshumicë. Ashtu që, si vend na duhet stabilitet dhe mençuri. Kemi shumë çështje para nesh dhe obligime të mëdha dhe për këtë shkak duhet të kemi demokraci stabile dhe parashikueshmëri në të gjitha proceset që na presin", tha Ademi.

Ai shtoi se nuk është asgjë e re ajo që janë obliguar me deklaratën rreth ndryshimeve kushtetuese, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pse sot e kanë publikuar deklaratën e nënshkruar para disa muajve me kryetarët e partive politike në bllokun politik shqiptar, se nuk do të pranojnë koalicion nëse nuk i bëjnë ndryshimet në Kushtetutë.

"Edhe vet z. Taravari para rrethit të parë të zgjedhjeve në debat me kandidatin tonë Bujar Osmani tha se kemi marrëveshje të tillë mes të gjitha partive politike, duhet të jemi të qetë se pa ndryshime kushtetuese nuk do të ketë kurrfarë qeverie, nuk do të marrë pjesë askush në qeveri të tillë. Por, dëshirojnë të vendosin standard për papërgjegjësi për fjalët që i themi publikisht dhe për çdo aksion dhe veprim konkret. Edhe për këtë shohim se nuk ekziston përgjegjësi te opozita", shtoi Ademi. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR