Abdush Demiri, propozim për anëtar të KSHZ-së të Lidhjes Evropiane për Ndryshim
- Ne si deputet të Lidhjes Evropiane për Ndryshim ju informojmë se kandidat i jonë për anëtar është Abdush Demiri i cili i plotëson të gjitha kriteret, deklaroi në konferencën e sotme për media në Kuvend, deputeti Fadil Zendeli nga Besa.
- Post By Fami Bajrami
- 17:04, 17 nëntor, 2023
Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA) - Ne si deputet të Lidhjes Evropiane për Ndryshim ju informojmë se kandidat i jonë për anëtar është Abdush Demiri i cili i plotëson të gjitha kriteret, deklaroi në konferencën e sotme për media në Kuvend, deputeti Fadil Zendeli nga Besa.
Ai theksoi se zgjedhja e anëtarit të opozitës shqiptare është relevante dhe e nevojshme.
"Të vetëdijshëm për rëndësinë e një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik dhe të shqetësuar për transparencën dhe pavarësinë e procesit, si dhe duke theksuar faktin se aktualisht nuk ka asnjë anëtar nga opozita shqiptare në këtë komision, konsiderojmë se zgjedhja e kandidati për anëtar të KSHZ është legjitim, relevant dhe i nevojshëm. Për rrjedhojë presim që zgjedhja e kandidatit të opozitës shqiptare për anëtar të KSHZ-së të mos uzurpohet për çfarëdo pazari politik, por të sigurohet përfaqësimi i interesave tona në këtë komision për të shmangur çdo manipulim dhe dyshim në procesin zgjedhor", tha Zendeli.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve tha se s'ka informacion se Aleanca për Shqiptarët gjithashtu ka paraqitur propozim për kandidat.
"Nuk e dimë nëse kanë propozim, shërbimet duhet të kenë informacion, janë ata që vlerësojnë kandidatët dhe kushtet që kandidatët plotësojnë, por ky nuk është problemi ynë sepse ligji është shumë i qartë. Ligji tregon qartë ndarjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për momentin janë katër anëtarë nga shumica, tre anëtarë nga opozita, pra mungon një anëtar nga opozita, situata është e qartë pasi jemi grup parlamentar nga opozita dhe ligji është i qartë për çdo manipulim", theksoi Zendeli. rq/
Foto: arkivi i MIA-s