A Bola: Ronaldo vendos ta bojkotojë ndeshjen e sotme të Al-Nasrit
- Futbollisti i Al-Nasr, Kristiano Ronaldo ka vendosur të tërhiqet nga ndeshja e ardhshme e ligës së Arabisë Saudite në shenjë proteste kundër pronarëve të klubit, raporton “A Bola”.
- Post By Fami Bajrami
- 08:28, 2 shkurt, 2026
Riad, 2 shkurt 2026 (MIA) – Futbollisti i Al-Nasr, Kristiano Ronaldo ka vendosur të tërhiqet nga ndeshja e ardhshme e ligës së Arabisë Saudite në shenjë proteste kundër pronarëve të klubit, raporton “A Bola”.
Sipas gazetës sportive portugeze, 40-vjeçari nuk do të dalë në fushë në ndeshjen e sotme të raundit të 20-të të ligës kundër Al-Rijadit. Ndryshe nga raportimet fillestare në mediat saudite, mungesa e tij nuk lidhet me një rotacion të planifikuar apo përgatitje për ndeshjen e rëndësishme kundër Al-Itihadit më 6 shkurt. Një burim pranë klubit i tha “A Bola” se arsyeja është përfshirja e thellë në menaxhimin sportiv dhe institucional të Al-Nasrit nga Fondi i Investimeve Publike (PIF).
Si një figurë kyçe në projektin saudit, Ronaldo beson se klubi i tij është në një disavantazh të konsiderueshëm krahasuar me ekipet e tjera të kontrolluara gjithashtu nga "PIF". Ai shpreh zhgënjim për mungesën e investimeve dhe një politikë sportive që sipas tij, nuk ka ambicie. Kjo situatë u përkeqësua nga transferimet modeste në merkaton e dimrit. Blerja e vetme ishte mesfushori 21-vjeçar irakian Hajder Abdulkarim. Kjo nuk përmbush pritjet e trajnerit Zhorge Hesus i cili nuk mori përforcimet e kërkuara për pozicionet problematike.
Situata e brendshme në klub po shkakton gjithashtu tensione. Edhe pse shtetasit portugezë Simao Kutinjo (drejtor sportiv) dhe Hoze Semedo (drejtor ekzekutiv) mbajnë pozicione kyçe drejtuese në Al-Nasr, ingerencat e tyre u ngrinë me një vendim të bordit në fillim të këtij muaji. Kjo kufizon mundësitë e tyre dhe sipas Ronaldos, dobëson ekipin dhe kërcënon konkurrencën e tij.
Krahasimet me Al-Hilalin i kontrolluar poashtu nga PIF, kanë shtuar ndjenjën e padrejtësisë. Al-Hilali ka qenë aktiv në transferime, duke blerë lojtarë si mbrojtësin spanjoll Pablo Mari dhe sulmuesin francez Kader Meite për 30 milionë euro.
Më parë, trajneri i Al-Nasrit, Zhorge Hesus, deklaroi publikisht se klubi i tij "nuk ka pushtet politik si që ka Al-Hilal".
Foto: EPA