• недела, 15 март 2026

Zgjedhje lokale në Francë – një test i atmosferës politike përpara zgjedhjeve presidenciale

Zgjedhje lokale në Francë – një test i atmosferës politike përpara zgjedhjeve presidenciale

Paris, 15 mars 2026 (MIA) - Votuesit francezë sot dalin në qendrat e votimit në zgjedhje lokale që konsiderohen si testi i fundit i madh i atmosferës politike para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, njoftoi DPA.

Pothuajse 49 milionë njerëz kanë të drejtë të marrin pjesë në raundin e parë të zgjedhjeve komunale, i cili do të përcaktojë mijëra këshilltarë lokal, të cilët nga ana tjetër do të zgjedhin kryetarët e bashkive në komunitetet e tyre.

Në garat ku nuk arrihet shumica absolute, raundi i dytë do të mbahet më 22 mars.

Vëmendje e veçantë do t'i kushtohet numrit të vendeve që mund të fitojë Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë, i udhëhequr nga Marin Le Pen. Ashtu si partia e qendrës Rilindja e Presidentit Emanuel Makron, edhe ajo ka luftuar për të ndërtuar një bazë të fortë lokale, shpjegon agjencia gjermane.

Në zgjedhjet e fundit komunale në vitin 2020, të Gjelbrit francezë arritën rezultate veçanërisht të mira. Megjithatë, pas asaj vale mbështetjeje, ata tani kanë frikë nga dështimi.

Kontrolli mbi kuvendet kryesore të qytetit do të vihet në një provë serioze sot.

Në Paris, pyetja është nëse konservatorët mund të marrin pushtetin pas 12 vitesh udhëheqjeje socialiste nën kryebashkiaken në largim, Ane Idalgo.

Në qytetin e dytë më të madh të Francës, Marsejë, socialistët, të cilët janë gjithashtu në pushtet, përballen me sfida si nga opozita e krahut të majtë ashtu edhe nga Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë.

Sipas rregullave zgjedhore franceze, listat e partive duhet të përfshijnë një numër të barabartë të femrave dhe meshkujve në një rend alternativ në fletën e votimit. Përveç qytetarëve francezë që jetojnë në vend, të drejtë të votojnë në zgjedhjet komunale kanë edhe banorët e shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, kujton DPA. ls/

Foto: EPA

 

Остани поврзан