• понеделник, 16 март 2026

Zelenski: Putini nuk donte kurrë përfundimin e luftës, nevojitet më shumë presion mbi Moskën

Zelenski: Putini nuk donte kurrë përfundimin e luftës, nevojitet më shumë presion mbi Moskën

Kiev, 16 mars 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi mbrëmë se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka dashur kurrë t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe njëkohësisht bëri thirrje për rritje të presionit ndaj Moskës.

“Putini nuk donte kurrë ta ndalte luftën. Ai kishte frikë nga lëvizjet e Presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe presionit nga Amerika. Kjo është arsyeja pse e luajti këtë lojë, duke kërkuar gjoja negociata”, deklaroi Zelenski në një intervistë për "Si-En-En"

Sipas fjalëve të tij, është e nevojshme SHBA-ja të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi Putinin, përndryshe, siç tha, presidenti rus nuk do të vijë në negociata.

“Ai thjesht po na jep ultimatume - të tërhiqemi nga territori ynë. Por ai nuk do të ndalet me kaq. Jo, jo, kjo nuk është e mjaftueshme për të”, vlerësoi Zelenski.

Zelenski shton se lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit i sjell më shumë para Putinit, e heqja e mundshme e sanksioneve nga SHBA-ja do të ishte gjithashtu personalisht e dobishme për liderin rus.

"Pra, sigurisht, kjo i jep Putinit vetëbesim se ai mund ta vazhdojë luftën", tha Zelenski.

Ai shtoi se Ukraina tani ka kërkuar nga SHBA-ja të caktojë një datë për një takim trepalësh, duke theksuar se Kievi gjithmonë e ka mbështetur atë format, ashtu si Trampi dhe ekipi i tij.

"Tani pala amerikane e ka shtyrë takimin për shkak të Iranit. Megjithatë, nëse duam vërtet ta ndalojmë luftën, duhet të takohemi në nivelin e grupeve teknike, duhet të takohemi në nivelin e liderëve. Duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë. Nëse nuk ndërmarrim këto hapa, nuk do t'i afrohemi paqes", tha presidenti ukrainas. ls/

Foto/Arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан