Trampi pretendon se Irani është plotësisht i mposhtur
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se Irani është mposhtur plotësisht dhe po kërkon një marrëveshje.
Uashington, 14 mars 2026 (MIA) – Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se Irani është mposhtur plotësisht dhe po kërkon një marrëveshje.
"Mediat, të cilat përhapin informacione të rreme, nuk dëshirojnë të raportojnë për rezultatet e shkëlqyera të arritura nga ushtria amerikane kundër Iranit, i cili është plotësisht i mposhtur dhe dëshiron të bëjë një marrëveshje, por jo një marrëveshje që unë do ta pranoja”, publikoi Trampi në "Truth soushëll" (Truth Social).
Ai më parë në rrjetin e tij social publikoi se ushtria amerikane sapo kishte kryer një nga sulmet ajrore më të fuqishme në historinë e Lindjes së Afërt.
"Vetëm pak çaste më parë, Komanda Qendrore e SHBA-së kreu një nga sulmet më të fuqishme bombarduese në historinë e Lindjes së Afërt, duke shkatërruar plotësisht të gjitha objektivat USHTARAKE në Ishullin Harg, perlën e Iranit", theksoi Tramp.
Ai shtoi se ka vendosur të mos e sulmojë infrastrukturën e naftës së ishullit.
"Kam vendosur të MOS e shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishull. Megjithatë, nëse Irani ose dikush tjetër bën diçka për të penguar kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, unë do ta rishqyrtoj menjëherë atë vendim", tha Tramp.
Ai i bëri thirrje Iranit të dorëzojë armët dhe "të shpëtojë atë që ka mbetur nga vendi i tyre, dhe nuk ka shumë prej saj".

Forcat e armatosura iraniane kumtuan këtë mëngjes se çdo sulm ndaj infrastrukturës së naftës dhe energjisë do të çojë në një sulm ndaj infrastrukturës energjetike në pronësi të kompanive të naftës që bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara t[ Amerikës në rajon.
Ishulli Harg është një ishull i vogël në veri të Gjirit Persik, në afërsi të bregut të Iranit, që shërben si terminal për pothuajse të gjitha eksportet e naftës nga fushat në Iranin qendror dhe perëndimor. Rreth 90 për qind e eksporteve të naftës së Iranit kalojnë nëpër Harg, duke e bërë ishullin një nga objektivat më të ndjeshëm ekonomik të Iranit.
Përmes Ishullit Harg kalonin nga 1,3 deri në 1,6 milion fuçi nafte në ditë. Por Iran e rriti rrjedhën e tij në rreth 3 milion fuçi në ditë deri në mes të shkurtit, sipas bankës së investimeve "XhP Morgan", duke pritur një sulm të mundshëm të udhëhequr nga SHBA-ja. Gjithashtu, 18 milion fuçi të tjera janë ruajtur në ishull si rezervë sigurie.
Terminali u ndërtua fillimisht nga kompania amerikane e naftës "Amoko" dhe u mor nga Irani gjatë revolucionit të vitit 1979. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s