Qindra të vrarë në një sulm me raketa ndaj një spitali në Kabul
- - Të paktën 250 të vdekur, ndërsa mbi 400 të plagosur në një sulm ajror në një institucion shëndetësor për rehabilitim në kryeqytetin afgan Kabul, kumtuan autoritetet lokale mjekësore. Përfaqësues të tjerë në Kabul thanë se numri i të vdekurve mund të arrijë deri në 400.
Kabul, 17 mars 2026 (MIA) - Të paktën 250 të vdekur, ndërsa mbi 400 të plagosur në një sulm ajror në një institucion shëndetësor për rehabilitim në kryeqytetin afgan Kabul, kumtuan autoritetet lokale mjekësore. Përfaqësues të tjerë në Kabul thanë se numri i të vdekurve mund të arrijë deri në 400.
Në këtë institucion shëndetësor me rreth dy mijë shtretër trajtoheshin persona të varur nga droga nga e gjithë vendi. Dëshmitarët okularë thonë se në momentin e sulmit aty ndodheshin disa qindra njerëz.
Popullsia lokale flet për sulme ajrore të përmasave të papara, të kryera vonë mbrëmë vetëm disa orë pasi Pekini zyrtar njoftoi se po ndërmjetëson në bisedime mes Afganistanit dhe Pakistanit.
“Regjimi ushtarak i Pakistanit edhe një herë ka shkelur hapësirën ajrore të Afganistanit dhe ka sulmuar një spital për rehabilitimin e personave të varur nga droga, duke vrarë dhe plagosur qindra pacientë në mjekim”, thuhet në kumtesën e zëdhënësit kryesor të talebanëve, Zabihullah Muxhahid.
Ministria e Informacioneve e Pakistanit i ka mohuar pretendimet e tilla. Në një publikim në rrjetin social "Iks" ministria pakistaneze thekson se sulmet kishin në shënjestër "instalime ushtarake dhe infrastrukturë që mbështesin terrorizmin", duke përfshirë pajisje teknike dhe depo municionesh në Kabul dhe Nangarhar.
Incizime të publikuara nga mediat afgane tregojnë se sulmi shkaktoi një zjarr të madh në objekt.
Dy ditë më parë, Kabuli zyrtar e akuzoi Islamabadin për kryerjen e një sulmi ajror ndaj një institucioni për mjekimin e varësive në provincën jugore Kandahar, si dhe se cak i sulmit ishte një depo karburanti i një kompanie ajrore private.
Pas përleshjeve të herëpashershme ushtarake ndërkufitare që nga tetori i vitit të kaluar, tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit u përshkallëzuan pasi disa dhjetëra civilë e humbën jetën nga sulmet e forcave ajrore pakistaneze të kryera më 22 shkurt.
Kombet e Bashkuara ]njoftojnë se në përleshjet ndërkufitare kryesisht vuajnë civilët. Sipas OKB-së, që nga 26 shkurti janë vrarë të paktën 75 civilë afganë, 193 janë plagosur dhe mijëra janë zhvendosur, gjë që përkeqëson krizën humanitare në vend.
Pakistani akuzon autoritetet talebane në Afganistan për mbështetjen e Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP), një grup militant përgjegjës për shumë sulme në Pakistan gjatë dekadave të fundit. Kabuli i mohon akuzat. ls/
Foto: DPA