• понеделник, 06 април 2026

Presidentja Haxhiu bëri homazhe në Rezallë: Gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë

Presidentja Haxhiu bëri homazhe në Rezallë:  Gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë

Prishtinë, 5 prill 2026 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në 27- vjetorin e masakrës në Rezallë.

Me këtë rast, u.d. presidentja ka thënë se para 27 viteve këtu në Rezallë dhe në fshatrat përreth, u kryen masakra të pamëshirshme nga regjimi i Serbisë.

“Më 5 prill të vitit 1999 në Rezallë të Skënderajt dhe në fshatrat përreth u zbatua plani i shfarosjes nga regjimi i Serbisë. Atë ditë, pra më 5 prill të vitit 1999, djem e burra nga mosha 13 vjeç deri në moshën 90 vjeç, u ndanë nga familjet e tyre, u plaçkitën, u nxorën dhunshëm nga shtëpitë e tyre dhe më pas u pushkatuan. Por, kjo nuk i mjaftoi regjimit të Serbisë, trupat e tyre i rrëmbyen dhe për trupat e tyre hapën varre masive në Serbi”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka theksuar se qëllimi ishte që t’i fshehin gjurmët e krimit gjenocidal, por gjurmët e krimit nuk do të fshihen kurrë e krimet e Serbisë nuk do të harrohen kurrë.

“Ato do të mbahen mend gjatë e përherë në kujtesën e familjarëve të tyre, por edhe në kujtesën tonë kolektive. Si institucione të Republikës së Kosovës do të angazhohemi, që të ketë drejtësi edhe për Masakrën e Rezallës, por edhe për të gjitha masakrat, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet e dëbimet, që Serbia i ka bërë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu.

 

Остани поврзан