• e hënë, 23 dhjetor 2024

ZGJEDHJET 2024/ Mblidhen nënshkrimet e qytetarëve për Bujar Osmanin

ZGJEDHJET 2024/ Mblidhen nënshkrimet e qytetarëve për Bujar Osmanin

Shkup, 23 shkurt 2024 (MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot njoftoi se në qendrat rajonale të KSHZ-së në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Çashkë dhe anembanë vendit qytetarët kanë vendosur nënshkrimin e tyre në përkrahje të kandidatit të Bashkimit Demokratik për Integrim për President, Bujar Osmani.

Bashkimi Demokratik për Integrim falënderon të gjithë ata që deri më tani kanë shprehur vullnetin e tyre të palëkundur për t’u rreshtuar pas vizionit tonë të dëshmuar të arritjeve të mëdha.

"Konfirmimi i kandidaturës së Bujar Osmanit përmes këtij grumbullimi masiv të nënshkrimeve që padyshim se do të tejkalojë numrin prej 10.000 nënshkrimeve dëshmon pastërtinë dhe drejtësinë e ideve tona progresive. Ashtu siç realizuam premtimin për Kryeministrin e parë shqiptar dhe të gjitha zotimet e faktorizimit tonë kombëtar në këto dy dekadat e fundit, do të bëjmë realitet edhe kauzën e Presidentit të parë shqiptar duke trasur fillimisht rrugën për realizimin e sigurt të këtij vizioni. Kandidatura e Bujar Osmanit nuk është vetëm akt formal zgjedhor, por një mision i ri madhor, një betejë për të thyer tabunë e rradhës përmes zgjedhjes së Presidentit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit", theksohet në kumtesën e BDI-së.

Në njërën nga pikat për mbledhjen e nënshkrimeve deklaratë ka dhënë, siç njoftuan nga BDI, edhe lideri i partisë Ali Ahmeti, i cili ka theksuar se sot fillon një rrugë shumë e rëndësishme për nominimin e Bujar Osmanit për kandidat për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Ky është një mobilizim shumë i fortë, që dëshmon vendosmërinë e gjithë BDI-së për të zotëruar misionin e lëvizjes së proceseve, procese që sjellin stabilizim, orientim se vendi ynë duhet të ecë përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian", tha Ahmeti.

Ai theksoi se me këtë mobilizim të gjitha forcave progresive në vend u jepet mundësia që në këto zgjedhje t'i thonë "jo" Rusisë dhe "po" Evropës.

"Këtë mundësi duhet ta shfrytëzojmë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 8 maj. Unë jam optimist i madh se me kuadrot tona, të gjtihë së bashku mund të jemi dëshmitarë të këtij vullneti të fortë që u materializua edhe në votimin për zhvillim të suksesshëm të proceseve", tha Ahmeti, theksojnë nga BDI. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR