• e hënë, 23 dhjetor 2024

ZGJEDHJET 2024/ Mblidhen 10.000 nënshkrime për kandidaturën presidenciale të Arben Taravarit

ZGJEDHJET 2024/ Mblidhen 10.000 nënshkrime për kandidaturën presidenciale të Arben Taravarit

Shkup, 27 shkurt 2024 (MIA) - Koalicioni VLEN sonte bëri të ditur se Arben Taravari i cili udhëheq njërin krah të Aleancës për Shqiptarët dhe është kandidati i tyre për president, ka mbledhur 10.000 nënshkrimet e nevojshme për të kandiduar në zgjedhjet për president të vendit të caktuar për 24 prill 2024.

Shefi i shtabit zgjedhor Bashkim Bakiu ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që kanë dhënë ndaj kandidatit të tyre Taravari.

"Këto janë nënshkrime pa asnjë detyrim. Ky është vullneti, vullneti i pastër i popullit. Pala tjetër duhet të kuptojë se pushteti nuk mbahet me forcë dhe se me forcë nuk merret vota. Të nderuar qytetarë, 10.000 herë faleminderit për çdo qytetar të RMV-së dhe atyre që kanë nënshkruar", tha Bakiu.

Nga ana tjetër, Taravari përmes një statusi në Fejsbuk ka falënderuar qytetarët.

"Faleminderit secilit prej jush që në kohë rekord nënshkruat kandidaturën time për president! E gjithë kjo fushatë le t'ju dedikohet juve", ka shkruar ai.

Mbrëmë BDI-ja bëri të ditur se kandidati i tyre Bujar Osmani ka mbledhur 10 mijë nënshkrimet për të garuar në zgjedhjet presidenciale.

Në zyrat rajonale të KSHZ-së dhe para noterëve të autorizuar nënshkrime mbledhin 11 kandidatë që duan të garojnë për kryetar të shtetit. Procedura për mbledhjen e nënshkrimeve e cila ka filluar më 23 shkurt do të vazhdojë çdo ditë nga ora 8 deri në 20, ndërsa ditën e fundit më 8 mars do të punohet deri në mesnatë.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR