• e hënë, 23 dhjetor 2024

ZGJEDHJET 2024/ Bilall Kasami nënshkroi për kandidaturën e Arben Taravarit për president

ZGJEDHJET 2024/ Bilall Kasami nënshkroi për kandidaturën e Arben Taravarit për president

Tetovë, 26 shkurt 2024 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar i Tetovës, Bilall Kasami bashkë me anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij dhe koalicionit "VLEN" dhanë nënshkrime për kandidaturën e Arben Taravarit për president.

Kasami theksoi se ka interesim të madh te qytetarët, por janë kufizuese kapacitetet e KKZ Tetovë sepse mbledhja e nënshkrimeve bëhet në vetëm një zyrë, ndërsa vijnë njerëz nga gjashtë komuna të Tetovës.

"Ndryshimi tashmë ka filluar, as qeveria, as Rusia dhe askush tjetër nuk mund ta ndalojë këtë ndryshim, ndaj ndryshimi po vjen dhe koalicioni 'Vlen' do ta bëjë atë ndryshim. Sot kemi filluar zyrtarisht mbledhjen e nënshkrimeve, disa qytetarë kur kanë marrë informacionin kanë nënshkruar edhe gjatë fundjavës, por nuk e dimë se sa kanë nënshkruar gjatë fundjavës, por zyrtarisht sot si koalicion fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve. Besoj se në një periudhë shumë të shkurtër do t'i mbledhim nënshkrimet, që përcakton kapacitetin e KSHZ-së, nëse do të kishte më shumë zyra, besoj se brenda një dite do të mblidhen nënshkrimet", tha mes tjerash Kasami.

Zyrat e KKZ Tetovë janë në ndërtesën e Komunës së Tetovës. fc/

Fotografia: Fejsbuku i Bilall Kasamit

QËNDRONI TË LIDHUR