• e diel, 22 dhjetor 2024

Zgjedhje do të ketë sipas afateve ligjore, thotë Kovaçevski

Zgjedhje do të ketë sipas afateve ligjore, thotë Kovaçevski

Shkup, 1 nëntor 2023 (MIA) - Kur të arrihet marrëveshja për datën e saktë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, opinioni do të informohet. Sipas ligjit, Qeveria teknike do të formohet 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit të tij në ngjarjen me rastin e Ditës Kombëtare të Sigurimeve - 1 Nëntori, ai theksoi se zgjedhje do të ketë, sepse po skadon mandati i presidentit dhe mandati i parlamentit.

"Për sa i përket momentit kur do të zhvillohen zgjedhjet, opinioni do të mund të informohet kur të arrihet një marrëveshje për kohën e saktë në kuadër të Parlementit. Parlamenti do të duhet ta marrë atë vendim, ndërsa kryetari i Kuvendit do t'i shpallë zgjedhjet", tha Kovaçevski.

Sipas tij, duhet pasur parasysh se në muajt e pranverës ka edhe festa fetare të cilat qytetarët i respektojnë.

"Duke marrë parasysh të gjitha këto supozime, do të miratohet një datë, normalisht brenda afateve ligjore, duke qenë se në ligjin tonë ka detyrim për një qeveri teknike, ajo do të jetë 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, siç ka qenë edhe deri më tani", theksoi kryeministri Kovaçevski.

I pyetur nëse me BDI-në po bisedohet për një paraqitje të përbashkët në zgjedhjet presidenciale apo parlamentare, ai u përgjigj se opinioni do të informohet për ecurinë në zgjedhje kur të marrin vendim organet e partive. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR