• e diel, 06 tetor 2024

Zelenski kërkoi sërish dritë jeshile nga SHBA për sulme më të thella ndaj Rusisë

Zelenski kërkoi sërish dritë jeshile nga SHBA për sulme më të thella ndaj Rusisë

Kiev, 1 shtator 2024 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e ka rritur presionin ndaj Shteteve të Bashkuara për të lejuar Kievin të nisë sulme më thellë në territorin rus pasi përfaqësuesit e tij u takuan dje me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington.

Që nga viti 2022, Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës më shumë se 50 miliardë ndihmë ushtarake, por ka kufizuar përdorimin e armëve në territorin ukrainas dhe operacionet mbrojtëse ndërkufitare.

Pastrimi i qiellit të Ukrainës nga bombat ajrore të drejtuara ruse është një hap drastik për të detyruar Rusinë të pranojë fundin e luftës dhe një paqe të drejtë, tha Zelenski në fjalimin e tij të rregullt të mbrëmjes për bashkatdhetarët e tij.

Duke iu drejtuar SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, Zelenski tha se Ukraina ka nevojë për mjete për të mbrojtur vërtetë dhe plotësisht vendin dhe ukrainasit.

"Ne kemi nevojë për miratim për aftësitë me rreze të gjatë dhe për predha dhe raketa me rreze të gjatë veprimi", tha presidenti ukrainas.

Pa zbuluar detaje, ai tregoi se përfaqësuesit e tij në takimin në Uashington "paraqitën të gjitha detajet e nevojshme" për partnerët ukrainas.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, i cili me një delegacion ishte dje dhe pardje në Uashington për t'u takuar me zyrtarë dhe ekspertë amerikanë, tha në një intervistë për Si-En-En se Kievi tregoi se aeroportet ruse, të cilat përdoren për sulme ndaj qyteteve ukrainase, janë brenda mundësive të goditjeve të thella.

"Ne shpjeguam se çfarë lloj arme na duhen për të mbrojtur qytetarët nga terrori rus që po na shkaktojnë rusët, kështu që shpresoj se jemi dëgjuar", tha Umerov në intervistën e transmetuar të premten mbrëma.

Zelenski pritet të përsërisë një lutje të ngjashme muajin e ardhshëm kur t'i prezantojë planin e tij të fitores Presidentit Xho Bajden dhe kur të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

QËNDRONI TË LIDHUR