Zëvendëskryeministri Fetai u takua me delegacionin malazes për interkulturalizëm
- Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në takim pune, Ludmila Popoviq, drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Pakicave dhe Kristian Dukaj, këshilltar i pavarur për çështje të interkulturalizmit.
- Post By Besnik Shuki
- 15:19, 24 prill, 2025

Shkup, 24 prill 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në takim pune, Ludmila Popoviq, drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Pakicave dhe Kristian Dukaj, këshilltar i pavarur për çështje të interkulturalizmit.
Në takim, siç kumtoi Kabineti i Fetait, u diskutua rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të konceptit të interkulturalizmit si bazë për mbrojtjen e vlerave kulturore të komuniteteve, garantimin e mirëqenies dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në shoqëritë tona.
"Popoviq ndau përvojën e Malit të Zi në zhvillimin e politikave multikulturore, të cilat, siç theksoi ajo, kanë qenë themeli i pavarësisë dhe i orientimit evropian të vendit. Ajo theksoi nevojën për nisma të përbashkëta rajonale që promovojnë të drejtat dhe liritë e pakicave, të mbështetura në vlera universale dhe standarde demokratike", thuhet në kumtesë.
Ndërkohë, drejtori Xhureta u përqëndrua në pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore është përmirësuar ndjeshëm, me pjesëmarrje me tri ministri dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.
Zëvendëskryeministri Fetai prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, duke vënë theksin në luftën kundër krimit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, forcimin e transparencës institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile.
Siç thuhet në kumtesë, Fetai shprehu mbështetje për të gjitha nismat që promovojnë mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve, veçanërisht në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e një diskursi gjithëpërfshirës publik. bsh/
Foto: Kabinbeti i zëvendëskryeministrit, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai