• e shtunë, 23 nëntor 2024

Zëdhënësja e BE-së në Kosovë: Rusia përmes propagandës po përpiqet ta pengojë integrimin e Ballkanit Perëndimor

Zëdhënësja e BE-së në Kosovë: Rusia përmes propagandës po përpiqet ta pengojë integrimin e Ballkanit Perëndimor

Prishtinë, 8 qershor 2024 (MIA) - Zëdhënësja e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Joana Laçana thotë se Ballkani Perëndimor ballafaqohet me dezinformata nga Rusia, përmes të cilave Moska po tenton ta pengojë integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në intervistën e sotme për platformën The Geopost, Laçana thotë se Kremlini po përpiqet të përhap narrativa proruse në Kosovë dhe të hedh çdo gjë që është pro-perëndimore në një dritë negative. 

Një gjë e tillë, sipas saj, mund t'i rrisë tensionet në rajon.

"Pamë propagandë lidhur me tensionet ndëretnike se këtu mund të shpërthejë një luftë e re. Kjo sigurisht që është shumë e rrezikshme dhe madje mund të ndezë tensionet. Për këtë shkak Bashkimi Evropian vazhdimisht thekson se dezinformatat janë çështje sigurie", thotë Laçana.

Funksionarët më të lartë shtetërorë të Kosovës shpesh herë paralajmërojnë se përpjekjet e Rusisë në Ballkan po përhapen përmes satelitit të saj Serbisë dhe se shteti rus po tenton t'i shfrytëzojë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Beogradi vazhdimisht i demanton këto pozita, shkruan Geopost.

Laçana thotë se në momentin kur propaganda e tillë ruse po përhapet dhe përsëritet, mund të ketë njerëz, të cilët do të fillojnë të ndjehen kundër Perëndimit.

"Nëse informacioni manipulohet, preket edhe diskursi ynë publik. Dhe Ballkani Perëndimor, natyrisht, nuk bën përjashtim. Edhe këtu shohim ndërhyrje, veçanërisht nga Rusia, e cila po përpiqet të prishë rrugën e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, rrugën e tyre në BE dhe rrugën e integrimit në BE. Sigurisht, askush nuk mund ta luftojë këtë fenomen i vetëm. Asnjë vend nuk mund ta luftojë i vetëm këtë fenomen. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku, të gjitha vendet së bashku, komuniteti i mbrojtësve dhe sigurisht të gjithë të përfshirët”, thotë zëdhënsja e BE-së.

Ajo e përmend edhe strategjinë e re të SHBA-së për të luftuar dezinformimin në Evropë, veçanërisht në Ballkan, e cila përfshin mbështetjen e demokracive, mbështetjen e mediave të lira si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. bsh/

 

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR