• e premte, 05 dhjetor 2025

Xhonson: Nuk ka kohë për ndryshime kushtetuese për mandatin e ri të Trampit

Xhonson: Nuk ka kohë për ndryshime kushtetuese për mandatin e ri të Trampit

Uashington, 28 tetor 2025 (MIA) - Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Majk Xhonson, tha sot se ka folur me presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, rreth kufizimeve kushtetuese dhe se nuk ka kohë të mjaftueshme për të bërë ndryshime në ligjin bazë që do t'i lejonte republikanit të kandidojë për një mandat të tretë.

Shtatëdhjetë e nëntë vjeçari Tramp refuzoi ta bënte të qartë dje se nuk kishte ndërmend të kandidonte përsëri, duke nxitur spekulime rreth një përpjekjeje të mundshme për të qëndruar në pushtet edhe pas përfundimit të mandatit të tij aktual.

"Ai ka një mandat të shkëlqyer. Por mendoj se presidenti e di dhe ne kemi folur për këtë, se ka kufizime në Kushtetutë", u tha Xhonson gazetarëve. Ai shtoi se nuk sheh një mënyrë për të ndryshuar Kushtetutën, sepse procesi zgjat rreth dhjetë vjet - koha që u duhet të gjitha shteteve për ta ratifikuar atë. "Nuk shoh një mënyrë për ta bërë këtë", përfundoi Xhonson.

Aleatët e Trampit, përfshirë Stiv Benon, kanë sugjeruar vazhdimisht se mund të shqyrtohet mundësia e shfuqizimit të kufizimit të dy mandateve, të shënuar në Amendamentin e njëzet e dytë të Kushtetutës.

Ndërkohë, Trampi në tubime dhe me shitjen e kapelave me mbishkrimin "Tramp 2028" - viti i zgjedhjeve të ardhshme - shpesh herë sugjeron idenë për një mandat të tretë.

"Ai po argëtohet duke ngacmuar demokratët, të cilët janë në panik nga vetë kjo mundësi", tha Xhonson. Mandati aktual i Trampit skadon në janar të vitit 2029.

Trampi vlerësoi gjithashtu dje zëvendëspresidentin Xhej Di Vens dhe sekretarin e shtetit Marko Rubio si "njerëz të shkëlqyer" që mund të kandidojnë në zgjedhjet e vitit 2028. sa/

foto:Trump Store

QËNDRONI TË LIDHUR