• e hënë, 23 dhjetor 2024

Xhaferi: Me rëndësi është që BE-ja të mos e zhvendos fokusin nga Ballkani Perëndimor dhe të mos e shtyjë integrimin

Xhaferi: Me rëndësi është që BE-ja të mos e zhvendos fokusin nga Ballkani Perëndimor dhe të mos e shtyjë integrimin

Shkup, 17 nëntor 2023 (MIA)- Zgjerimi është një nga politikat më të mira të Unionit si nevojë gjeostrategjike dhe është investim afatgjatë për gjithë Evropën në kuptimin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik. Është mekanizëm i mirë për përparim dhe shpërblime, që na motivon si vende ti zbatojmë reformat e kërkuara në afatet e parashikuara, rezultati i fundit i të cilave do të duhet të jetë anëtarësimi i plotfuqishëm në Union. Besoj se si shtete kemi treguar se mund të ballafaqohemi me sfidat e procesit të integrimit me çka konfirmuam se jemi partnerë seriozë në këtë projekt të përbashkët, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në Takimin e 11-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore për zgjerimin e BE-së.

“Kaluan më shumë se 20 vite nga samiti i parë në Selanik ku u konkludua se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, pas përmbushjes së kritereve të Kopenhagës. Republika e Maqedonisë së Veriut mori vendime të vështira, duke e pasur parasysh ardhmërinë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë ishte mënyra për ndërtimin e besimit në zgjidhjen e çështjeve bilaterale dhe ne ishim dhe mbesim edhe më tej të përkushtuar ndaj implementimit të saj”, tha Xhaferi.

Faza finale e procesit të aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili zgjat tani më 17 vite, tha ai ka filluar dhe për ne është me rëndësi të veçantë të vazhdojmë të përparojmë në rrugën evropiane.  Duke i pasur parasysh gjendjet aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, sidomos rrethanat e ndryshuara gjeopolitike, nevoja për përshpejtimin e eurointegrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi shumë të madhe.  

“Në drejtim të hapave konkrete të eurointegrimit, në rrjedhë është përfundimi i fazës së skriningut të legjislacionit tonë, dhe është konstatuar nivel i lartë i harmonizimit me legjislacionin evropian. Skriningu nuk është vetëm operacion teknik, por edhe proces transformues i cili ka të bëjë me të gjitha segmentet e shoqërisë. Procesi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për mbajtjen e konferencë së dytë ndër-qeveritare me Bashkimin Evropian dhe hapja e klasterëve të negocimit duhet të rrumbullakohet gjatë këtij viti. Konsideroj se tani është koha e vërtetë që të gjitha partitë politike të cilat zotohen për eurointegrim, të demonstrojnë përkushtimin e vet edhe në vepër”, ka thënë Xhaferi, njofton Pres shërbimi i Kuvendit.

Si vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut beson se institucionet e Unionit do e mbajnë perspektivën e zgjerimit me të gjitha vendet tjera kandidate, si proces i besueshëm dhe i dukshëm i bazuar mbi merita. Posaçërisht është e rëndësishme BE-ja mos e zhvendosë fokusin nga Ballkani Perëndimor dhe të veprojnë si një forcë rajonale kohezive dhe mos e shtyjë integrimin e pjesëve të rajonit të vet gjeografik.

Bashkësinë politike Evropiane e shohim si një forum të ri të dialogut në nivel të lartë për çështjet evropiane gjeostrategjike, por edhe si platformë e cila u jep mundësi vendeve të Ballkanit Perëndimor të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal dhe ti ndajnë praktikat më të mira. Në kontekst të realiteteve të reja gjeopolitike, Maqedonia e Veriut zotohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përmes përshpejtimit të proceseve euroatlantike dhe eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë prioritetet tona në politikën e jashtme dhe të sigurisë. 

“Dëshiroj të përshëndes ndihmën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për mbështetjen e reformave përmes Instrumentit të Ndihmës Paraaderuese (IPA) dhe aktualisht Planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, si burime kryesore të financimit, me qëllim primar për mbështetjen e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e konsiderueshëm të afrimit dhe integrimit socio-ekonomik në tregun e vetëm të Unionit para anëtarësimit, në rast se përmbushen kushtet e duhura”, ka thënë mes tjerash Xhaferi duke shtuar se e vlerëson me optimizëm momentin pozitiv dhe afatin e nënvizuar për zgjerimin e mëtejmë të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 me vendet e Ballkanit Perëndimor. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR