• e hënë, 23 dhjetor 2024

Xhaferi – Trokaz: Të rrumbullakohen hapat e nevojshëm për vazhdimin e agjendës evropiane

Xhaferi – Trokaz: Të rrumbullakohen hapat e nevojshëm për vazhdimin e agjendës evropiane

Shkup, 16 maj 2024 (MIA)- Në margjinat e takimit të liderëve për Planin e rritjes që mbahet në Kotor, Mali i Zi, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim bilateral me të dërguarin special të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trokaz.

Në takim u bisedua për rëndësinë e vazhdimit të rrugës evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut në pritje të formimit të Qeverisë së re. Trokazi e theksoi mbështetjen e mëtejshme franceze të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në BE, dhe apeloi për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të ndërmarra nga faktorët politikë.

"Kryeministri Xhaferi shprehu shpresë se vendi do i rrumbullakojë hapat e domosdoshme për vazhdimin e agjendës evropiane. Në këtë drejtim ndau shqetësimin për mosrespektimin e emrit kushtetues nga ana e presidentes së sapozgjedhur të shtetit dhe apeloi për respektimin e Memorandumit të nënshkruar para zgjedhjeve nga ana e partive politike në drejtim të parakushteve për integrimin tonë në Bashkimin Evropian", thuhet në kumtesë.

Xhaferi, mes tjerash theksoi se për të nuk është prioritet se kush do e formojë Qeverinë e re, por, përmbushja e agjendës evropiane. Kjo është rruga e ardhmërisë dhe e prosperitetit për të cilin ai do të vazhdojë të punojë në cilëndo cilësi apo funksion.

 

QËNDRONI TË LIDHUR