• e enjte, 06 shkurt 2025

Votimi i tretë në Parlamentin grek për zgjedhjen e presidentit të Greqisë

Votimi i tretë në Parlamentin grek për zgjedhjen e presidentit të Greqisë

Athinë, 6 shkurt 2025 (MIA) – Për të tretën herë deputetët grekë sot paradite do të votojnë për president të Greqisë, pasi gjatë dy votimeve të para dhjetë ditëve dhe të premten asnjë nga katër kandidatët nuk e mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave, përderisa sot për zgjedhjen e shefit të shtetit është e nevojshme të votojnë tre e pesta, gjegjësisht 180 nga gjithsej 300 deputetë që nuk pritet të arrihet, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Për herë të parë pas mbi 30 vjetëve janë propozuar katër kandidatë, deri para pak kohësh kryetari i Parlamentit, Konstantinos Tasulas, si propozim nga Demokracia e Re në pushtet, ish ministri Tasos Janicis i propozuar nga PASOK, ish deputetja dhe ministre e PASOK, Luka Kaceli, propozim nga SYRIZA dhe shkrimtari Kostas Kirjaku. 

Në votimin e parë më 25 janar dhe në të dytin të premten e kaluar asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi të paktën 200 vota nga gjithsej 300 deputetë, ndërsa rezultatet ishin identike për të gjithë kandidatët, diçka që sipas gjitha gjasave do të ndodhë edhe sot.

Më konkretisht Tasulas edhe në të dy votimet fitoi 160 vota, për Kacelin dy herë votuan 40 deputetët e njëjtë, Janicis në të dy votimet fitoi 34 vota, përderisa për Kirjaku votuan 14 deputetë. 

Gjatë votimit të parë të përmbajtur ishin 49, ndërsa gjatë të dytit 52 deputetë. 

Votimi është publik me thirrjen e çdonjërit nga deputetët të cilët kanë dy opsione: ose të zgjedhin një nga kandidatët ose të deklarojnë se janë të përmbajtur. 

Sipas Kushtetutës së Greqisë, presidenti zgjidhet nga Parlamenti dhe parashikohen maksimum pesë votime, nëse votimi i parë nuk arrin shumicën e kërkuar prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, gjegjësisht 200 vota, votim i dytë do të mbahet pas pesë ditësh dhe nëse shumica e kërkuar prej dy të tretave ende nuk arrihet, do të mbahet edhe votimi i tretë në të cilin do të nevojiten tre e pesta e numrit të përgjithshëm të votave, gjegjësisht mbështetje prej 180 nga gjithsej 300 deputetë.

Nëse asnjë nga kandidatët nuk fiton as 180 deputetë, do të vijojë edhe votimi i katërt, përsëri pas pesë ditëve, kur do të nevojitet shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht të paktën 151 vota. 

Sipas rezultateve nga dy votimet e para, presidenti i ri i Greqisë pritet të zgjidhet pas votimit të katërt, i cili do të mbahet më 12 shkurt dhe të zgjidhet Konstantinos Tasulas për shef të shtetit me mbështetje prej rreth 160 deputetëve. 

Mandati pesëvjeçar i presidentes aktuale Katerina Sakellaropullu përfundon më 13 mars të këtij viti. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR