VLEN dhe Lëvizja Arbëria bashkojnë forcat për zgjedhjet lokale
- Sot u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes VLEN dhe Lëvizjes Arbëria, të udhëhequr nga ish deputetët Bekim Fazliu, Merale Ferati, Orhan Ibrahimi dhe personalitete të tjera me peshë në skenën politike.
- Post By Fami Bajrami
- 12:13, 9 shtator, 2025
Shkup, 9 shtator 2025 (MIA)- Sot u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi mes koalicionit VLEN dhe Lëvizjes Arbëria, të udhëhequr nga ish deputetët Bekim Fazliu, Merale Ferati, Orhan Ibrahimi dhe personalitete të tjera me peshë në skenën politike.
Ky akt është një dëshmi e qartë se jehona e fitores së madhe të 19 tetorit po rritet çdo ditë dhe po mbisundon në çdo cep të vendit, thonë nga VLEN.

"Kjo marrëveshje është vulosja e sigurt e ndryshimit, fitorja e qytetarëve mbi padrejtësitë, dhe garanci se krimi dhe korrupsioni do të asgjësohen njëherë e përgjithmonë. Komunat tona nuk do të jenë më pronë e BDI-së së kapur nga korrupsioni dhe 'non gratat'. Nga 19 tetori ato do të çlirohen dhe do t’u kthehen qytetarëve me një pushtet vendor të ndershëm, transparent dhe të përkushtuar për zhvillim", thuhet në kumtesën e VLEN-it.

Kjo marrëveshje, sipas tyre është një tjetër hap i madh drejt fitores së përbashkët dhe ndërtimit të një të ardhme evropiane, siç thonë, “të lirë nga krimi, korrupsioni dhe padrejtësitë që për vite me radhë i mbajti gjallë regjimi i BDI-së”.
"VLEN për ndryshimin, VLEN për fitoren e madhe të 19 tetorit!", thonë në VLEN.