• e hënë, 23 dhjetor 2024

VLEN: BDI mbeti vetëm, madje edhe LSDM u pendua për ndryshimet në Kodin penal!

VLEN: BDI mbeti vetëm, madje edhe LSDM u pendua për ndryshimet në Kodin penal!

Shkup, 26 korrik 2024

Skandalet dhe korrupsioni i instaluar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe satelitët e saj kanë minuar besimin në gjyqësor, kanë penguar zhvillimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Vërejtjet dhe mangësitë e evidentuara nga Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit pasqyrojnë qartë se si regjimi i kaluar ka ushtruar pushtetin me metoda të pandershme dhe të paligjshme. Ndërhyrjet e BDI-së në sistemin gjyqësor kanë qenë të papranueshme. Kujtojmë presionet ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, vetëm sepse ajo refuzoi të falë dhe të rikthejë Nikolla Gruevskin në Maqedoni si hero.

Këto veprime tronditën thellë opinionin publik. Po ashtu, garnitura e kaluar ndryshoi Kodin penal për të ulur dhe vjetërsuar dënimet e ish-zyrtarëve, një akt që u prezantua nga BDI si një harmonizim me standardet evropiane. Kjo ishte një tjetër përpjekje për të mashtruar qytetarët dhe për të mbrojtur interesat e tyre personale në kurriz të drejtësisë dhe transparencës. Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe e pranoi gabimin, a do të bëjë të njëjtën gjë edhe Ali Ahmeti?

Në kontrast të plotë, koalicioni VLEN është i përkushtuar për të ndjekur një rrugë të pastër dhe të ndershme. Ne mbështetemi në mbështetjen e qytetarëve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Përmes zyrtarëve të zgjedhur pa njolla korruptive, ne dëshmojmë sjellje evropiane dhe transparencë në veprimet tona.

Së bashku, do të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Koalicioni VLEN

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR