VLEN: BDI e votoi Ligjin për gjuhët edhe pse Komisioni i Venecias e kontestoi ligjshmërinë e tre neneve kyçe
- Trupi koordinues i koalicionit VLEN, së bashku me liderët e partive dhe gjithë ekzekutivin në kuadër të koalicionit qeverisës kanë mbajtur sot takim ku kanë diskutuar mbi ngjarjet e fundit në vend. Pas takimit, përfaqësues të VLEN-it mbajtën konferencë për shtyp, ndërsa thanë se “BDI tenton ta manipulojë opinionin me skenarë të kopjuara nga Nikolla Gruevski”.
- Post By Fami Bajrami
- 14:10, 9 dhjetor, 2024
Shkup, 9 dhjetor 2024 (MIA)- Trupi koordinues i koalicionit VLEN, së bashku me liderët e partive dhe gjithë ekzekutivin në kuadër të koalicionit qeverisës kanë mbajtur sot takim ku kanë diskutuar mbi ngjarjet e fundit në vend. Pas takimit, përfaqësues të VLEN-it mbajtën konferencë për shtyp, ndërsa thanë se “BDI tenton ta manipulojë opinionin me skenarë të kopjuara nga Nikolla Gruevski”.
"Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rremë si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq", ka thënë në konferencën për media, Saranda Imeri- Stafaj nga koalicioni VLEN.
Korrupsioni mbi 20-vjeçar ka faturën e vet! Ai të zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj, nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare! Njëra me tjetrën nuk shkon!, thonë nga VLEN.
Kjo parti, siç thonë nga VLEN (duke aluduar në BDI-në), së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish funksionarët e tyre të korruptuar.
"Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe. Koalicioni VLEN ka muaj që punon për heqjen e grackave dhe korrigjimin e gabimeve të regjimit të BDI-së. Ne nuk mburremi por veprojmë institucionalisht", kanë thënë nga VLEN.
Para Gjykatës Kushtetuese dje janë tubuar aktivistë të BDI-së opozitare, që siç ka thënë për MIA-n nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani do të qëndrojnë aty ditë e natë deri në mbajtjen e seancës më 11 dhjetor.
Foto: MIA