“VLEN” do të ketë kryesi prej 23 anëtarësh, përfaqësues të partive të koalicionit aktual
- Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot informoi se gjatë javës pritet që partitë që përbëjnë koalicionin "VLEN" të emërojnë 23 përfaqësues të tyre për kryesinë që do të formohet rreth partisë së re me të njëjtin emër. Ajo kryesi do të ketë edhe statut, sipas të cilit do të zgjidhet kryetari dhe organet e partisë.
- Post By Fami Bajrami
- 13:02, 22 prill, 2025
Tetovë, 22 prill 2025 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot informoi se gjatë javës pritet që partitë që përbëjnë koalicionin "VLEN" të emërojnë 23 përfaqësues të tyre për kryesinë që do të formohet rreth partisë së re me të njëjtin emër. Ajo kryesi do të ketë edhe statut, sipas të cilit do të zgjidhet kryetari dhe organet e partisë.
"Duhet të kemi një organ të përbashkët që do të vendosë më tej, një komision statutor që do të përcaktojë të gjitha çështjet, si zgjidhet kryetari, organi drejtues i partisë, kush do të jenë ata, mekanizmat për kontroll dhe balancim, sepse bëhet fjalë për më shumë subjekte që në një proces të natyrshëm të bëhet si një subjekt. Ajo që është e rëndësishme është se tanimë është marrë vendim të kemi kryesi të përbashkët e cila do të përcaktojë hapat e mëtejshëm drejt unifikimit. Sipas ligjit i gjithë ky proces duhet të përfundojë me një kongres të përbashkët dhe një vendim formal për regjistrim në Regjistrin qendror", ka thënë sot Kasami para mediave, pas një aktiviteti komunal në shesh.
Sipas Kasamit, koalicioni ka marrë 107 mijë vota dhe është përfaqësues i votave te shqiptarët.
"Ne si koalicion morëm 107 mijë vota, nga një koalicion që përbëhej nga parti politike shqiptare. Ne e dimë që koalicionet tjera kanë qenë multietnike edhe në këtë pjesë, sidomos koalicioni i BDI-së nuk mund të thirret për të përfaqësuar të drejtat e shqiptarëve në vend, dhe vlerësojmë që ato 107 mijë vota i kemi marrë për të përfaqësuar shqiptarët dhe qytetarët e tjerë në këtë qeveri. Kushdo që shkëputet nga ky koalicion nuk do të ketë mbështetjen e këtyre 107 mijë votave. Prandaj vlerësojmë që këto 107 mijë vota janë legjitimiteti ynë për t'i përfaqësuar ato vota në Qeveri”, ka thënë Kasami.
foto: MIA