Vazhdimi i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë është i pasigurt
- Përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel deri mbrëmë vonë nuk arritën një kompromis për vazhdimin e ri gjashtëmujor të pakos së sanksioneve të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.
- Post By Sara Ademi
- 10:12, 14 mars, 2025

Bruksel, 14 mars 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel deri mbrëmë vonë nuk arritën një kompromis për vazhdimin e ri gjashtëmujor të pakos së sanksioneve të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës.
Nëse një marrëveshje për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë nuk arrihet brenda 24 orëve të ardhshme, ato do të pushojnë së qeni në fuqi nesër mbrëma në mesnatë.
Sipas njoftimeve nga Këshilli i BE-së, ambasadorët e vendeve anëtare do të takohen sërish sot në përpjekje për të bindur Hungarinë që të heqë dorë nga bllokimi i marrëveshjes për vazhdimin e sanksioneve.
Hungaria herë pas here ka shprehur rezerva për vazhdimin ose futjen e paketave të reja të sanksioneve kundër Rusisë, por në fund ka mbështetur vendimet në këmbim të disa lëshimeve nga BE-ja.
"Fajnenshëll Tajms" raportoi se këtë herë Budapesti po e kushtëzon mbështetjen për vazhdimin e sanksioneve me heqjen e tetë individëve nga lista e të sanksionuarve. Mes tyre, sipas gazetës britanike, janë oligarkët rusë Mihail Fridman, Alisher Usmanov dhe Pjotr Aven.
Në listën e të sanksionuarve për shkak të aktiviteteve të tyre që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës aktualisht janë mbi 2.400 individë dhe subjekte.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së kundërshtojnë heqjen e sanksioneve nga lista, por diplomatët evropianë theksojnë se me një armëpushim të mundshëm në Ukrainë dhe fillimin e mundshëm të bisedimeve të paqes, ata në fund me siguri do të dorëzohen në kërkesat e Hungarisë, në një përpjekje për të parandaluar "kolapsin" e të gjithë listës së sanksioneve për shkak të vetos hungareze.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Anita Hiper njoftoi dje se Bashkimi Evropian po përgatit një paketë të 17-të të sanksioneve në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
"Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë. Ata po minojnë ekonominë ruse dhe kjo është pikërisht ajo që ne duam të arrijmë. Ne duam të arrijmë që agresori rus të jetë i dobët dhe Ukraina të jetë e fortë. Kjo është arsyeja pse ne kishim 16 paketa sanksionesh, të cilat u miratuan unanimisht dhe tani po punojmë në pakon e 17-të", vuri në dukje Hiper.
I pyetur nëse BE-ja ka një "Plan B" nëse një shtet anëtar bllokon futjen e sanksioneve të reja ose vazhdimin e atyre ekzistuese, Hiper theksoi se Komisioni po punon shumë për të arritur një marrëveshje për masat kufizuese në kohën e duhur dhe nuk do të donte të komentojë mbi skenarët e mundshëm, duke shtuar se Rusia është agresori në këtë konflikt dhe duhet të paguajë për të gjitha krimet e kryera. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s