• e premte, 22 nëntor 2024

Ursula fon der Lajen në turne në Ballkanin Perëndimor, në fokusin e zgjerimit të BE-së

Ursula fon der Lajen në turne në Ballkanin Perëndimor, në fokusin e zgjerimit të BE-së

Bruksel, 22 tetor 2024 (MIA) - Presidentja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen fillon nesër turne në Ballkanin Perëndimor, ku do të vizitojë të gjashtë vendet kandidate të BE-së që, pas vitesh pritjeje, shpresojnë të përfitojnë nga kthimi i zgjerimit në axhendën e Bashkimit.

"Vizita e katërt e Ursula fon der Lajen në rajon paraqet " sinjal të fortë "se zgjerimi është përsëri në rendin e ditës," deklaroi anëtarja e Qendrës hulumtuese Brojgel, Heder Greb.

"Të shkosh atje kaq herët në mandatin e saj të dytë dhe të vizitosh rajonin rregullisht është një gjest i rëndësishëm politik sepse tregon interesin dhe angazhimin e saj," shtoi Greb.

Pararendësi i saj, Hoze Manuel Barrozo, vizitoi Ballkanin vetëm një herë gjatë mandatit të tij të parë. Para tij, Zhan-Klod Junker deklaroi se nuk do të ketë zgjerim nën presidencën e tij, përkujtoi Greb.

Për kandidatët për anëtarësim në BE – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, kjo vizitë do të jetë mundësi për të treguar se ata kanë zbatuar reformat e nevojshme për t'u anëtarësuar në BE, shkruan agjencia serbe BETA.

Debati për zgjerimin ka vazhduar për 20 vjet. Gjatë asaj periudhe, në disa vende është zvogëluar mbështetja e popullsisë për aderim në BE, ashtu si edhe vullneti politik për të zbatuar reformat e pritshme.

Megjithatë, qëndrimi ka ndryshuar që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë, i cili ringjalli procesin. "Situata emergjente rreth Ukrainës dhe Moldavisë ka ndihmuar Ballkanin," tha Heder Greb.

"Supozoj se turneu i saj do të ketë ton dukshëm optimist," tha nënkryetarja e organizatës joqeveritare Lëvizja Evropiane në Serbi, Jelena Miniq, duke shtuar se mekanizmi i ri për afrimin e të gjithë rajonit drejt BE-së është plani i rritjes, i nisur në nëntor të vitit 2023.

Për t'u përballur me ndikimet ekonomike të Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor, BE "vuri" gjashtë miliardë euro në tryezë në formën e një plani rritjeje që synon dyfishimin e kapaciteteve ekonomike të rajonit.

Plani është i strukturuar rreth katër shtyllave: integrim në tregun e vetëm, treg të përbashkët rajonal, përshpejtim të reformave fundamentale dhe ndihmë e rritur financiare. 

Por, pagesat do t'u nënshtrohen kushteve të rrepta në lidhje me zbatimin e reformave, veçanërisht në lidhje me harmonizimin e partnerëve me politikën e përbashkët të jashtme dhe atë të sigurisë.

Harmonizimi diplomatik i kërkuar nga kandidatët me siguri do të jetë pjesë e bisedimeve, veçanërisht në Serbi.

Beogradi asnjëherë nuk vendosi sanksione ndaj Moskës, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiq falënderoi dje Presidentin rus Vlladimir Putin përmes telefonit dje që ka mundësuar Rusia të furnizojë Serbinë me sasi të mjaftueshme gazi këtë dimër.

Kreu i institutit evropian Zhak Delor, Luka Maçek, vlerësoi se do të ndiqet gjithçka që Ursula fon der Lajen do ta deklarojë dhe bëjë në Serbi.

"Ajo që do të thotë dhe që do të bëjë në Serbi do të jetë nën thjerrëz, meqë ajo ndoshta është kritikuar – si edhe përfaqësuesit tjerë zyrtarë evropianë - se nuk ia ka sqaruar mjaft qartë Vuçiqit se cilat janë kufijtë, çfarë mund dhe nuk mund të pranojë BE-ja në aspektin e politikës joliberale", tha Maçeku.

Vuçiqi i cili i ka bërë ndryshimet e tij të vazhdueshme të qëndrimit midis Lindjes dhe Perëndimit një pjesë kryesore të politikës së tij të jashtme, e refuzoi thirrjen e Putinit për të marrë pjesë në samitin e BRIKS në Kazan, i cili filloi sot, duke arsyetuar se ata presin vizita të rëndësishme në Serbi.

Edhe një çështje tjetër e hidhur që mund të jetë temë e bisedimeve të Ursula fon der Lajen është orari për pranimin në BE, pasi disa kandidatë pas 20 vjetësh janë lodhur nga pritja.

"Unë nuk besoj se anëtarësimi i plotfuqishëm është i mundur para skadimit të mandatit të këtij Komisioni" në vitin 2030, tha Maçek.

"Unë mendoj se është e mundur që disa vende të tilla si Mali i Zi, e ndoshta edhe të tjerë, do të sigurojnë që deri në fund të mandatit të Komisionit negociatat të jenë të mbyllura," shtoi Maçeku.

Ndryshe, Fon der Lajen do të mbërrijë nesër në Tiranë, që është destinacioni i saj i parë. Do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes solemne të kampusit të Kolegjit të Evropës. Të enjten, do të takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj, e më pas do të niset për në Maqedoninë e Veriut, ndërsa do të vizitojë edhe zonat e përmbytura në Bosnjë e Hercegovinë.

Të premten, do të udhëtojë në Serbi, ndërsa turneun ballkanik do ta përfundojë të shtunën me një vizitë në Kosovë dhe Mal të Zi. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR