• e martë, 24 dhjetor 2024

UNT-ja zhvilloi Panairin e tretë të karrierës

UNT-ja zhvilloi Panairin e tretë të karrierës

Shkup, 15 maj 2024 (MIA) - Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup sot për herë të tretë organizoi Panairin e karrierës, që bëri bashkë komunitetin e biznesit të përfaqësuar me 25 kompani private dhe absolventët e drejtimeve të ndryshme të UNT-së.

Organizatori i këtij eventi, rektori i  UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri tha se ideja e zhvillimit të këtij panairi është që të vendosen kontaktet e para mes punëdhënësve dhe punonjësve potencial, ndërsa pas analizave të përbashkëta me komunitetin e respektuar të biznesit, UNT do ti dizajnojë edhe programet studimore.

‘UNT do të bashkëpunon me partnerët e saj gjatë gjithë vitit akademik, ndërsa programet studimore do ti dizajnon sipas nevojave dhe kërkesës të tregut të punës. Ne kemi programe studimore deficitare për tregun e punës, ndërsa studentët dhe sidomos absolventët përgatiten për sektorin real që në studimet e viteve të para’ tha Zeqiri.

Mysafiri i nderit në Panair, kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore z.Mendi Qyra tha se edhe përskaj faktit se një numër i madh e qytetarëve kërkojnë punë në Entin e punësimit, sërish punëtorët mungojnë në tregun e punës.

‘Ne kemi të dhëna që edhe përkundrejt faktit se 103 mijë persona kërkojnë punë në Entin për punësim, biznesi kërkon rreth 25 mijë punëtorë të ndryshëm, profesional dhe kuadër të thjeshtë, dhe këtu ka paqartësi sepse në njërën anë kërkojnë punë 103 mijë vetë  kurse biznesi nuk mund të gjen 25 mijë punëtorë’, tha Qyra, duke shtuar se edhe pagat duhet të rriten me formulën që komuniteti i biznesit të jep pagë minimale 500 euro, ndërsa qeveria ti ulë kontributet që janë më të lartat në rajon.

Kryetari i Konfederatës së bizneseve z. Mile Boshkov tha se më e rëndësishmja është që studentët të studiojnë dhe të punojnë në vendlindje dhe se duhet të krijojnë vlera për veten, për familjet e tyre dhe për shoqërinë.

'Është e pashmangshme që të hulumtohet në mes kompanive që janë më të mira për ju studentët dhe cili do të jetë profesioni dhe rruga juaj profesionale, por mos harroni se më e rëndësishmja në jetë është që atë që e keni kulturë familjare ta inkorporoni në profesion dhe në atë që bëni në jetë, dhe të jepni përshtypje dhe shembull personal' tha Boshkov.

Në Panairin e Karrierës 2024 morën pjesë Arbëria Dizajn, Eurovia, Moding, Karriera mk, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Trim and Lum, EVN, Seavus, Tempo Neting School, Neptun, Semos Edukacija, Fondacioni Albiz, Dauti Shped, Dauti Komerc, Alma M, JUS MB, BE-DA Logistics, ZSF Company, MALIQI GROUP dhe  Biznis Konfederata e Maqedonisë.

QËNDRONI TË LIDHUR