• e shtunë, 23 nëntor 2024

UNICEF: Çdo i nënti rast i vdekjes te të posalindurit në Maqedoninë e Veriut është i lidhur me ajrin e ndotur

UNICEF: Çdo i nënti rast i vdekjes te të posalindurit në Maqedoninë e Veriut është i lidhur me ajrin e ndotur

Shkup, 10 shtator 2024 (MIA) -  Në prag të Ditës ndërkombëtare të ajrit të pastër, UNICEF-i në Evropë dhe Azinë Qendrore publikoi një dokument të ri për politika, ku thuhet se në vitin 2021 mbi 5.480 foshnja në 23 vende dhe territore në tërë Evropën dhe Azinë Qendrore kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit. Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të posalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 për qind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare, informoi Zyra e UNICEF-it në Shkup.

Raporti i titulluar "Fillimet pa frymë: politikat për mbrojtjen e fëmijëve nga ndotja e ajrit në Evropë dhe Azinë Qendrore, vë në dukje se në qytetet e mëdha anembanë Evropës dhe Azisë Qendrore, ndotja e ajrit kalon rregullisht nivelet e sigurta sipas OBSH-së, dhe po bëhet rrezik kryesor për shëndetin ekologjik të fëmijëve nga rajoni.

"Në Maqedoninë e Veriut, rreziqet nga ajri i ndotur janë veçanërisht të larta. Në shkurt të vitit 2024, Shkupi ishte sërish në mesin e 10 qyteteve më të ndotura në botë, me nivele mesatare të grimcave PM10 ose PM2,5 që tejkalojnë kufijtë e lejuar për më shumë se 100 ditë në vit. Sipas të dhënave të reja, përveç se një shkaktar kryesor i vdekjeve të foshnjave, ndotja e ajrit merr më shumë vite të shëndetshme nga jeta jonë se çdo faktor tjetër i vetëm ekologjik, si temperaturat e larta, uji i ndotur dhe higjiena e dobët, thuhet në kumtesë.

Lesli Miler, përfaqësuese e UNICEF-it shton se këto të dhëna janë veçanërisht shqetësuese, sepse ekspozimi i hershëm dhe i shpeshtë ndaj ajrit të ndotur ndikon në zhvillimin e trurit, mushkërive dhe organeve të foshnjave, gjë që ka pasoja për shëndetin dhe mësimin gjatë tërë jetës.

Në dokumentin për politika thuhet se foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të eksponuar në rrezikun për vdekje dhe shëndeti i keq për shkak të ndotjes së ajrit. Ekspozimi i hershëm dhe i shpeshtë ndaj ajrit të ndotur – duke filluar që në mitër – çon në tkurrje dhe ristruktuim të mushkërive dhe rrit rrezikun e pneumonisë, infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, infeksioneve të veshit, astmës dhe alergjive. Frymëmarrja e ajrit të ndotur mund të shkaktojë inflamacion të trurit, të pengojë rritjen dhe të ndikojë ndaj zhvillimit kongitiv, si dhe në suksesin shkollor.

UNICEF-i u bën thirrje qeverive dhe institucioneve në vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që t'i kushtojnë më shumë vëmendje dhe resurse në luftën kundër ndotjes së ajrit, të mbështesin efikasitetin e energjisë, qasjen në energji të pastër dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe të mbrojnë shtatzënat. gratë dhe fëmijët nga ajri i ndotur.

"Më në fund, barra e infeksioneve të pneumonisë bakteriale tek foshnjat duhet të zvogëlohet duke zgjeruar mbulimin me vaksinën konjugate pneumokokale (PCV) - e cila në Maqedoninë e Veriut është 56 për qind, që është shumë më e ulët se mbulimi mesatar prej 86 për qind në rajonin evropian të OBSH-së", thonë nga UNICEF-i.

Një dokument i ri për politika i UNICEF-it përmban të dhënat dhe rekomandimet më të fundit për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të reduktuar vdekjet e fëmijëve dhe problemet shëndetësore për shkak të ndotjes së ajrit. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR