• e diel, 22 dhjetor 2024

UEFA e dënoi Levskin me 40.000 euro për incidentet në Shkup

UEFA e dënoi Levskin me 40.000 euro për incidentet në Shkup

Sofje, 1 gusht 2023 (MIA) - Federata Evropiane e Futbollit (UEFA)  i shqiptoi gjobë në të holla në vlerë prej 40.000 eurove klubit bullgar të futbollit Levski për incidentet të cilat tifozët e klubit nga Sofja i shkaktuan të enjten e kaluar në Shkup në ndeshjen e xhiros së dytë në Ligën e Konferencës kundër përfaqësuesit nga Maqedonia e Veriut, klubit të futbollit Shkupi. 

Klubi bullgar njoftoi se gjoba është shqiptuar për shkak të "sjelljes diskriminuese në tribunën në të cilën ishin vendosur tifozët e Levskit, përfshirë edhe brohoritje në bazë etnike dhe porosi politike, si dhe incidente në sektorin me tifozët mysafirë". 

Gjithashtu, Komisioni Disiplinor i UEFA-s urdhëroi që Levskit t'i ndalohet të sjellë tifozët e tij në ndeshjen mysafire të radhës në Kupat e Evropës, ndërsa në rast të ndonjë incidenti të ri ndeshjen e radhës në teren vendor do ta luajë para dyerve pjesërisht të mbyllura në stadiumin "Vivakom Arena - Georgi Asparuhov" në Sofje.

Vendimi i Komisionit Diciplinor të organit udhëheqës evropian ende nuk është publikuar në sajtin zyrtar të UEFA-së, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që gjobë t'i shqiptohet edhe Shkupit. 

Për shkak të incidenteve në ndeshjen mes Shkupit dhe Levskit (0-2), e cila u luajt të enjten e kaluar në Arenën Kombëtare "Todor Proeski" në Shkup, ku morën pjesë rreth 900 tifozë nga Bullgaria, policia e Maqedonisë së Veriut arrestoi 21 persona, duke përfshirë 19 tifozë të Levskit.

Në një incident që ndodhi në Çair një tifoz i klubit bullgar ishte therrë me thikë. 

Ndeshja kthyese është në program të enjten në Sofje dhe sipas paralajmërimeve nga klubi vendor ndeshja do të luhet para tribunave të mbushura. 

Levski njoftoi se të gjitha 30.000 biletat janë shitur, përderisa Shkupi njoftoi se tifozët e tyre nuk do të udhëtojnë në Sofje. fc/

Fotografia: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR