• e martë, 26 nëntor 2024

U promovuan dy vepra të Institutit të Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup

U promovuan dy vepra të Institutit të Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup
Shkup, 5 tetor 2022 (MIA) - Sot, në kuadër të panairi të librit albanologjik, u promovuan dy vepra të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Fillimisht u promovua vepra "Shkupi, vetë historia e Kosovës" e autorëve Skender Asani, Albert Ramaj dhe Mehmet Prishtina. Përkitazi me këtë vepër foli recensenti i veprës, Dr. Sylë Ukshini, i cili theksoi se: "Libri i përgatitur nga Asani, Ramaj dhe Prishtina paraqet një dokument me vlera të veçanta historike dhe demografike e kulturore dhe një dëshmi se Kosova, ose Vilajeti i Kosovës ishte një epiqendër e rëndësishme e zhvillimeve rajonale. Ky fakt gjithsesi është argument përse Kosova ishte në fokusin e qarqeve diplomatike evropiane, në këtë kontekst edhe të diplomatëve italianë". Përveç tij, audiencës iu drejtuan edhe hartuesit e veprës, Skender Asani dhe Mehmet Prishtina. Drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, tha se arsyeja e hartimit të kësaj vepre është interesimi i vazhdueshëm i Institutit për historinë e Shkupit dhe rolin e tij në diplomacinë ndërkombëtare dhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas tij, Shkupi është kryeqyteti i çështjes shqiptare dhe vetë historia e Kosovës. Mehmet Prishtina, po ashtu në cilësi të autorit, foli se vepra është jashtëzakonisht e rëndësishme për zbërthimin e historisë së Kosovës, aq më shumë që ajo vjen si dokumentacion i diplomacisë italiane dhe e shpjegon në mënyrën më të paanshme gjendjen e shqiptare në Shkup në kapërcyell të shekujve XIX-XX dhe rëndësinë e Shkupit në temën e shtetndërtimit. Pas kësaj, u promovua edhe vepra "Fjalor frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut" e autorit Qemal Murati. Për këtë vepër foli Dr. Zeqirija Ibrahimi – këshilltar shkencor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Në fjalën e tij, ai theksoi se: “Vepra "Fjalor frazeologjik i arealeve shqipe të Maqedonisë së Veriut" nga autori Qemal Murati, është ndër veprat më të rëndësishme të fushës së frazeologjisë që është botuar kurdoherë nga cilido autor në Maqedoninë e Veriut. Për dikë mund të duket ekzagjerim, por ky është konstatim që e them me kompetencë si gjuhëtar dhe si njohës i mirë i bibliografisë linguistike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke qenë i bindur se me të dakordohen edhe kolegët e tjerë gjuhëtarë të pjesës shqiptare në Maqedoni të Veriut. Të pranishmëve iu drejtua edhe autorit i veprës, Qemal Murati, i cili shprehu falënderime për botuesin, pra Institutin, si dhe për recensentët e veprës. Me këto promovime edhe u mbyll dita e dytë e panairit të librit akademik, që sivjet për herë të parë është organizuar në Prishtinë, ndërsa organizatorë ishin Instituti Albanologjik, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë. ab/      

QËNDRONI TË LIDHUR