• e shtunë, 23 nëntor 2024

U promovua gjenerata e re e nëpunësve policorë

U promovua gjenerata e re e nëpunësve policorë

Shkup, 27 prill 2024 (MIA) - Në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë sot u mbajt promovimi solemn i nëpunësve të rinj policorë - gjenerata 2023-2024. Trajnimin njëvjeçar e përfunduan 508 policë të rinj prej të cilëve 416 burra dhe 92 gra.

Kryeministri Talat Xhaferi duke i uruar pjesëtarët e rinj të policisë theksoi se të jesh në vijën e parë të sigurisë është detyrë fisnike dhe në të njëjtën kohë detyrë me shumë përgjegjësi.

"Njohuritë dhe aftësitë të cilat i keni arritur gjatë vitit të kaluar përmes trajnimit intensiv, besoj që si nëpunës të ardhshëm të policisë do t'i zbatoni vazhdimisht në njësitë organizative ku do të shpërndaheni", tha Xhaferi.

I inkurajoi policët që të jenë të ndershëm dhe të përkushtuar në zbatimin e detyrave ndaj qytetarëve dhe krenarë në punën e tyre dhe në mënyrë profesionale të përballen me sfidat e reja të punës dhe të jeni të gatshëm për përgjigjet e pritura. Theksoi se ky dikaster punon vetëm në shërbim të qytetarëve, dhe asesi ndryshe, dhe për nëpunësin policor, çdo qytetar është njësoj i rëndësishëm, pavarësisht përcaktimeve personale, bindjeve, ose çfarëdo lloj dallimesh të tjera. 

"Për policin profesional, nuk ka detyrë më pak ose më shumë të rëndësishme. Të gjithë qytetarët janë të njëjtë para ligjit dhe kanë të njëjtën të drejtë të sigurisë. Si nëpunës të ardhshëm të policisë, pres që përmes sjelljes dhe punës të tregoni se, policia si institucion është profesionale, dhe me sukses i realizon kompetencat dhe detyrat e saja ligjore", tha Xhaferi. 

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se policët i pret një etapë e re. 

"Së pari do të ju porosis që gjithmonë ta keni në mendje se çdonjëri nga ju është kreator i fatit të tij. Suksesi juaj varet vetëm nga ju. Suksesi juaj duhet të përfundojë vetëm nga profesionalizmi juaj, bashkëpunimi, vullneti i mirë", theksoi Toshkovski. 

Porositi se ligji duhet të respektohet, si dhe se çdo ndryshim i mirë fillon nga individi, nga botëkuptimi i tij, sjellja dhe veprimtaria, ndërsa jo e kundërta. 

"Gjithsesi flas për integritetin, që në thelb është e kundërta e ryshfetit, e hipokrizisë, e mosrespektimit të ligjeve apo e drejtësisë selektive. Ju si të rinj që e keni të ardhmen para vetes keni të drejtën, mundësinë, përgjegjësinë dhe sigurisht obligimin që të jepni kontributin tuaj për një të ardhme të përbashkët më të mirë dhe më të begatë, tha ministri Toshkovski.

Zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev i uroi për përfundimin me sukses të trajnimit nëpunësit e policisë, duke përkujtuar për gjithçka që është bërë më parë në polici, mes tjerash, edhe për rikonstruimin e Qendrës së Trajnimeve në Idrizovë. 

Në solemnitet ishin kumtuar edhe emrat e nëpunësve më të mirë policorë. fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR