• e diel, 22 dhjetor 2024

Trençevska: Rolet gjinore në shoqëri krijojnë diskriminim

Trençevska: Rolet gjinore në shoqëri krijojnë diskriminim

Shkup, 3 tetor 2023 (MIA) - Stereotipet dhe paragjykimet janë arsyeja më e madhe pse në tregun e punës ka hendek prej 20,3 për qind mes burrave dhe grave, thotë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska.

Shumica e grave, sipas Trençevskës, kujdesen për shtëpinë dhe familjen dhe këtu arsyet duhet të kërkohen në stereotipet dhe paragjykimet.

"Në Indeksin gjinor që promovuam së fundmi dhe në botimin "Gratë dhe Burrat", shifrat tregojnë se pjesa më e madhe e popullsisë joaktive janë femra. Kjo e pengon shtetin të shfrytëzojë potencialin e plotë të grave dhe të shfrytëzojë sa më shumë kapitalin njerëzor në shtet. Mosaktiviteti i grave është 55.1 për qind, për dallim nga meshkujt, që është 32.8 për qind, ndërsa hendeku gjinor mes meshkujve dhe femrave në tregun e punës është 20.3 për qind. Arsyet do t'i kërkojmë në stereotipet, paragjykimet dhe shqetësimet e grave për shtëpinë dhe familjen, veçanërisht në zonat rurale", tha Trençevska në emisionin Top Tema në Televizionin Telma.

Sipas Trençevskës, rolet gjinore, të lidhura me rolin e vajzave dhe djemve në shoqëri, krijojnë diskriminim.

"Ne kemi arsim të detyrueshëm fillor dhe të mesëm, këtu nuk ka diskriminim. Kur të shkoni më tej, në arsimin e lartë, do të shihni se përfshirja e vajzave është shumë më e lartë se ajo e djemve në arsimin e lartë. Në studimet master dhe doktoraturë, shifrat tregojnë gjithashtu se femrat kryejnë një përqindje më të lartë si të studimeve master ashtu edhe në atë të doktoraturës. Por në tregun e punës ajo shifër humbet tek femrat në poste të larta drejtuese dhe këtu janë dominues, sidomos në pozitat drejtuese ku krijohen politika, ku merren vendime, prezenca e meshkujve është dominuese", thotë ministrja.

Lidhur me Ligjin e ri për Barazi Gjinore, Trençevska theksoi se që nga viti 2019 është punuar në mënyrë transparente me sektorin civil, institucionet dhe me përfshirjen e Kuvendit, duke theksuar se do të prezantohet publikisht dhe më pas do të komentojë kur të organizohen edhe debate publike.

"Ndërkohë kemi pasur zgjedhje parlamentare, pastaj zgjedhje lokale, krizën e Kovid-it, pastaj kemi një vit lëvizjesh antigjinore, që sfidojnë miratimin e ligjit... Është bërë në mënyrë transparente dhe askujt nuk i pengonte teksti parësor, i cili ishte shumë më i avancuar deri në atë që është sot. Po, në një moment u shfaqën organizata qytetare konservatore të ekstremit të djathtë, të cilat përmes prizmit të ndonjë ideologjie tjetër dhe duke përzier Ligjin për evidencën amë, ku është njohja ligjore e gjinisë, me ligjin për barazinë gjinore, e bënë termin e barazisë gjinore si koncept, sikur të drejtat e njeriut të jenë vepër e djallit. Është pjesë e lëvizjes antigjinore që është e pranishme në Evropë", tha Trençevska.

Qëllimi i Ligjit për barazi gjinore, sipas Trençevskës, është fuqizimi i mekanizmave, sepse zbatimin e ligjit nuk e bën MPPS, por të gjitha institucionet në vend.

"Ndërgjegjësimi i çdo punonjësi në administratë që të gjithë duhet të gëzojnë të drejtat e njejta, pavarësisht nëse janë gra apo burra.  Nuk duhet të ketë diskriminim, duhet të ketë mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë për çdo qytetar", tha Trençevska. sa/

Foto: MIA FB printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR