• e diel, 08 shtator 2024

Tre vjet nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, në të cilin kanë humbur jetën 14 persona

Tre vjet nga zjarri në spitalin modular të Tetovës, në të cilin kanë humbur jetën 14 persona

Tetovë, 8 shtator 2024 (MIA) - Sot bëhen tre vjet nga zjarri në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Nga 14 personat që humbën jetën si pasojë e zjarrit, 12 ishin të shtruar në spital si të prekur nga Kovid-19, ndërsa dy ishin familjarë të pacientëve.

Gjykata Themelore e Tetovës tashmë ka zhvilluar proces gjyqësor në vitin 2022 dhe 2023 dhe me vendim të Gjykatës së Apelit, për disa nga të akuzuarit është dashur të fillojë përsëritja e gjykimit këtë vit.

Pas zjarrit të 8 shtatorit të vitit 2021, filloi hetimi, i cili rezultoi me propozim aktakuzë në Gjykatën Themelore të Tetovës më 27 korrik të vitit 2022. Seanca e parë gjyqësore ishte caktuar për 6 shtator të vitit 2022, por pas disa vonesave, procesi filloi më 4 dhjetor të vitit 2022.

Pas gjashtë muajsh, më 5 qershor 2023, Gjykata Themelore e Tetovës dënoi me kusht Florin Besimin dhe Artan Etemin, drejtorë të Spitalit klinik të Tetovës, për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa personi juridik ISHP Spitali klinik u shpall fajtor për veprën penale “Shkaktim i rrezikut publik” në gjykimin pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë në vitin 2021 ku humbën jetën 14 persona.

Gjykata më pas vendosi të lirojë doktorin Boban Vuçevskin dhe Spitalin klinik për veprën penale "mosrespektim i rregullave shëndetësore".

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë më 10 korrik të vitit 2023 ka paraqitur ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë.

Pas kësaj ankese, Gjykata e Apelit ka diskutuar në prill të vitit 2024 dhe me këtë ka marrë vendim me të cilin urdhërohet rigjykimi për ish-drejtorët e Spitalit të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe i ISHP Spitali klinik Tetovë si person juridik. Për mjekun Boban Vuçevskin, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë dhe e ka vërtetuar lirimin e shkallës së parë.

Më 26 qershor të vitit 2024 ishte caktuar seanca e parë për rigjykim të dy drejtorëve, por ajo u shty për 25 shtator të vitit 2024 për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit klinik të Tetovës.

Në aktgjykimin fillestar të datës 5 qershor 2023, të pandehurit Florin Besimi dhe Artan Etemi janë dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, me kusht dhe dënimi i përcaktuar me burgim nuk do të zbatohet nëse të pandehurit secili prej tyre gjatë tre viteve të ardhshme nuk kryejnë vepër të re penale. Një person juridik është dashur të paguaj gjobë në vlerë prej një milion denarë, 30 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Më 8 shtator të vitit 2023, në dyvjetorin, para gjykatës në Tetovë u mbajt marshim dhe protestë publike, organizuar nga familjet e 14 personave që humbën jetën nga zjarri në objektin modular të Tetovës. Familjet organizuan marshim dhe protestë publike më 15 shtator të vitit 2023 edhe në Shkup. Marshimi protestues nisi në sheshin Skënderbeu dhe përfundoi para Prokurorisë Publike. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR