Tramp: Pajisje ushtarake me vlerë një miliardë dollarë do të dërgohet në Ukrainë
- Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se SHBA-ja do të distribuojnë pajisje ushtarake me vlerë një miliard dollarë në Ukrainë.
- Post By Besnik Shuki
- 19:18, 14 korrik, 2025
Uashington, 14 korrik 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp sot deklaroi se SHBA-ja do të distribuojnë pajisje ushtarake me vlerë një miliard dollarë në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, Tramp konfirmoi marrëveshje me anëtarët e NATO-s, kryesisht të Evropës, për dërgesën e armës "me cilësi të lartë" për ndihmë të Ukrainës, duke përfshirë edhe sisteme raketore "Patriot", për të cilat tha se do të dërgohen në vend "në afat prej disa ditëve" dhe se aletatët do të paguajnë për to.
Në pyetjen nëse raketa "Patriot" apo sisteme raketore "Patriot" po dërgohen në Ukrainë, Tramp u përgjigj se po dërgohet "gjithçka".
Ai sqaroi se vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s do të dërgonin sistemet e tyre "Patriot" në Ukrainë, ndërsa SHBA-ja do të dërgojë zëvendësime në ato vende.
Tramp gjithashtu tha se SHBA-ja do të vendos sanksione 100 për qind ndaj Rusisë nëse nuk arrihet marrëveshja për armëpushim në luftën në Ukrainë në afat prej 50 ditëve.
Ai tha se ishte "shumë, shumë i pakënaqur" nga Rusia.
"Ne do të vendosim tarifa shumë të forta nëse nuk arrijmë marrëveshje brenda 50 ditëve. Tarifat prej rreth 100 për qind do të quheshin tarifa dytësore", tha Tramp, duke vënë në dukje se tarifat do të vendoseshin pa pëlqimin e Dhomës së Përfaqësuesve ose Senatit.
Tarifat dytësore nënkuptojnë se sanksionet do të zbatoheshin edhe për vendet e tjera, përkatësisht vendet që blejnë naftë ruse.
Kur u pyet nëse do të vendosen tarifa 500 për qind ndaj Rusisë, ai tha se numri ishte i parëndësishëm pas një pike të caktuar dhe se tarifat prej 100 për qind do të "arrijnë qëllimin".
Tramp tha se Moska duhet ta kthejë ekonominë ruse në rrugën e duhur dhe se Rusia ka "potencial të jashtëzakonshëm" dhe duhet t'i përdorë burimet e saj për tregti, jo për luftë.
Duke folur për Putinin, Tramp tha se "flet shumë me të" dhe se ato biseda janë shumë të këndshme, por se biseda "nuk do të thotë asgjë", pasi raketat godasin qytete.
Presidenti amerikan tha se ndjen se ka pasur marrëveshje me Rusinë për luftën në Ukrainë "rreth katër herë".
"Mendova se duhet të kishim bërë një marrëveshje shumë kohë më parë, por ajo vazhdon e vazhdon", tha Tramp.
I pyetur sa larg është i gatshëm të shkonte nëse presidenti rus, Vlladimir Putin do të përshkallëzonte sulmet, Tramp u tha gazetarëve të mos ia bënin atë pyetje.
"Dua që lufta të zgjidhet. Në fund të fundit, një Evropë e fortë është një gjë shumë e mirë", tha Tramp.
Ai e çmon aleancën mbrojtëse të NATO-s, duke përmendur marrëveshjet e fundit në të cilat vendet rritën kontributet e tyre në mbrojtje nga dy për qind të bruto prodhimit vendor në pesë për qind të BPV-së deri në vitin 2035.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rute, tha se Ukraina do të marrë "një sasi shumë të madhe pajisjesh ushtarake" falë marrëveshjes midis NATO-s SHBA-së.
Rute posaçërisht përmendi pajisjet e "mbrojtjes ajrore, raketave dhe municioneve". bsh/
Foto: EPA