• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trajkovski: Kushdo që zbaton praktika të padrejta tregtare, do të sanksionohet

Trajkovski: Kushdo që zbaton praktika të padrejta tregtare, do të sanksionohet

Shkup, 29 shkurt 2024 (MIA) - Drejtori i Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski sot në një publikim në Fejsbuk shkroi se Inspektorati nuk do ta presë ditën e nesërme, gjegjësisht ndërprerjen e masës për çmime të garantuara dhe paralajmëroi se inspektorët edhe sot do të dalin në teren. 

"Askush nuk është mbi ligjin, ndërsa ai që do të zbatojë praktika të padrejta tregtare dhe do t'i shkelë ligjet, do të sanksionohet, ndërsa varësisht shkeljes së bërë, deri më sot, ekziston mundësia edhe për mbylljen e objekteve për kryerjen e veprimtarisë në periudhë të caktuar kohore", thotë Trajkovski në publikim.

Thekson se kryejnë mbikëqyrje në të gjitha marketet e mëdha në gjithë territorin e shtetit, sipas të gjitha ligjeve për të cilat vepron Inspektorati i Tregut.

"Gjatë periudhës së kaluar, Inspektorati i Tregut ishte në nivel të detyrës së tij dhe nuk lejuam që askush të zbatojë praktika të padrejta tregtare dhe të mos i respektojë masat antikrizë", shkroi Trajkovski.

Ai ju bën thirrje edhe tregtarëve me pakicë, por edhe tregtarëve me shumicë, të jenë përgjegjës dhe t'i përshtatin çmimet në përputhje me standardin e qytetarëve. 

Masa për çmime të garantuara për disa produkte ushqimore, si buka, qumështi, kosi, makaronat,..., disa produkte mishi, si dhe pijet joalkoolike dhe birra, nuk do të vlejnë më nga nesër. Tashmë institucionet kanë paralajmëruar forcim të kontrolleve për të ndërhyrë në rast të rritjes drastike të çmimit të produkteve, duke qenë se ligji për praktikat e padrejta tregtare, që pritet të amortizojë situatën, ende nuk është miratuar.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dje porositi se çdo sjellje joetike e cilido tregtar do të dënohet. Ai bëri thirrje që të reagojnë Komisioni për Mbrojtje të Konkurrencës dhe Organizata për Mbrojtje të Konsumatorëve dhe përsëriti se zgjidhja më adekuate është që të votohet ligji për praktika të padrejta tregtare. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR