• e premte, 05 dhjetor 2025

Toshkovski: Vetëm bashkëpunimi i përbashkët do ta bëjë Evropën më të sigurt, më të fuqishme dhe më të bashkuar

Toshkovski: Vetëm bashkëpunimi i përbashkët do ta bëjë Evropën më të sigurt, më të fuqishme dhe më të bashkuar

Shkup, 18 qershor 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dje dhe sot në Zagreb merr pjesë në konferencën ministrore në kuadër të Forumit të Salzburgut i cili është një platformë qeveritare evropiane qendrore për dialog dhe bashkëpunim shumëpalësh mbi çështjet që lidhen me sigurinë e brendshme ku Maqedonia është pjesë e grupit të miqve të kësaj platforme.

Në sesionin "Bashkëpunimi ndërkufitar në përballjen me migracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar" ai theksoi se bashkëpunimi i përbashkët përmes misionit Fronteks deri më tani ka arritur të përmirësojë kontrollin e rrugëve të migracionit të paligjshëm, ka forcuar kapacitetin për të luftuar krimin ndërkufitar dhe ka rritur kapacitetin e operacioneve kufitare të Maqedonisë për t'iu afruar standardeve të BE-së.

"Duke përdorur ndihmën e Bashkimit Evropian, ne kemi forcuar infrastrukturën kufitare, kemi përmirësuar sistemet tona të azilit dhe kemi marrë mbështetje në operacionet kundër kontrabandës dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Ne po kontribuojmë në drejtim të stabilitetit rajonal duke krijuar siguri të përmirësuar kufitare. Kemi arritur uljen e migrimit të parregullt. Intensiteti i tentimeve të paligjshme për kalimin e kufirit ka rënë që nga fillimi i vitit 2025. Në periudhën nga 1 janari deri më 12 qershor të vitit 2025 u parandaluan gjithsej 1,956 tentime që krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2024 paraqet rënie prej tridhjetë për qind", theksoi ministri Toshkovski si pjesë të sukseseve në këtë fushë.  

Ai përcaktoi edhe disa fusha për përmirësimin e bashkëpunimit që do të sjellin rezultate më të mira, siç janë lehtësimi i shkëmbimit të shpejtë të të dhënave, shkëmbimi i vazhdueshëm i të dhënave të inteligjencës për hetime efektive kundër grupeve kriminale ndërkombëtare, programe të përbashkëta trajnimi për individët dhe zhvillimi i mjeteve elektronike dhe metodologjive hetimore, duke përfshirë edhe inteligjencën me burime të hapura me qëllim të mbledhjes së informacionit dhe provave kritike.

Ministri Toshkovski në fund para forumit shprehu dëshirën e tij që Maqedonia, si një mike e forumit, të jetë mikpritëse e një evenimenti të këtillë në të ardhmen, me çka edhe një herë theksohet përkushtimi i bashkëpunimit të përbashkët dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor si pjesë e një Evrope më të sigurt, më të fuqishme dhe më të bashkuar.

Në kuadër të forumit realizoi edhe takim dypalësh me ministrin e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviq.

"Fokusi i takimit ishin mënyrat e përballjes së migrimit të paligjshëm dhe aktivitetet lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe transnacional. U bisedua për riorganizimin e kufirit dhe vendosjen e policisë me qëllim sigurimin më të suksesshëm të tij. Ministrat shprehën shqetësim për ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e krijimit të një krize të re emigrantësh dhe konkludimi i përbashkët ishte se që tani është e nevojshme të fillojnë përgatitjet në aspektin e burimeve materiale, teknike dhe njerëzore me qëllim përballjen e suksesshme me një valë të tillë të re të mundshme emigrantësh", thuhet në kumtesë.

Ministrat shqyrtuan gjithashtu bashkëpunimin midis Qendrës për trajnim të MPB-së dhe Akademisë policore të Kroacisë, mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe kurrikulat për shkollën e mesme policore që do të jetë më afër modelit kroat. qa/

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR