• e mërkurë, 04 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Toshkovski: Nëse sulmet janë çmim që duhet ta paguajmë, atëherë unë jam i gatshëm që çdo dit ta paguaj, sepse kjo nuk është vetëm betejë politike

Toshkovski: Nëse sulmet janë çmim që duhet ta paguajmë, atëherë unë jam i gatshëm që çdo dit ta paguaj, sepse kjo nuk është vetëm betejë politike

Shkup, 15 prill 2025 (MIA) – Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski përmes një postimi në Fejsbuk u prononcua me reagim për, siç tha, sulmet e orkestruara të koordinuara drejt tij nga BDI, LSDM dhe E majta, me qëllim, sipas tij, të hedhin hije ndaj zbardhjes së krimit dhe korrupsionit. 

“Tri parti, të ndryshme në formë, por të ngjashme në natyrën e tyre, bashkuan forcat dje në përpjekje për të hedhur hije mbi atë që populli maqedonas ka pritur për tri dekada – pastrimin e korrupsionit dhe fundin e politikës së mosndëshkimit. Tri parti, gjoja duke luftuar kundër njëra-tjetrës, treguan dje se interesi i tyre i përbashkët është më i fortë se të gjitha dallimet e tyre të dukshme. BDI – partia që gjatë viteve të gjata të qeverisjes së bashku me LSDM-në krijuan një shtet të robëruar, me një sistem në të cilin krimi nuk ishte përjashtim, por rregull. Partia që la pas një djerrinë të gjyqësorit të korruptuar, arsim jofunksional pa tekste shkollore, shëndetësi që prodhoi tragjedi në vend të ilaçeve, ajër të ndotur që helmon çdo qytetar dhe institucione të kapura nga ushtarë partiakë në vend të profesionistëve”, shkroi Toshkovski.

Ai i theksoi funksionarët e BDI-së të cilat më herët thonin se nuk përgjigjen para ligjit por vetëm para Ali Ahmetit, ndërsa sot, tha, në panik ikën sepse për herë të parë ndjenin se ligji është mbi parti. 

“Ku është sot Artan Grubi? Ku është sot Përparim Bajrami? A nuk ishin ata luftëtarët më të zëshëm për të drejtat e shqiptarëve, të cilët në vend të të drejtave, siguruan vetëm privilegje për veten dhe familjet e tyre? BDI nuk luftoi kurrë për shqiptarët, luftoi vetëm për pozita nga të cilat mund t'i grabiste popullin shqiptar dhe maqedonas,” pyeti Toshkovski, duke theksuar se tani, kur për herë të parë në 30 vjet shteti i së drejtës nuk është thjesht një lajthitje boshe, por një realitet, kur institucionet më në fund kanë filluar të funksionojnë dhe drejtësia arrin tek ata që mendonin se do të ishin përgjithmonë të paprekshëm, BDI pa turp flet për përgjegjësi.

LSDM, vazhdoi Toshkovski, të cilët flasin për selektivitet dhe padrejtësi, duhet të kujtohen se gjatë qeverisjes së tyre shtatëvjeçare me BDI-në, shtetin e lëkundën tri tragjedi të mëdha në të cilat jetët i humbën mbi 10 njerëz. 

“Dhe tash mbani mend mirë: për të gjitha jetët e humbura, LSDM nuk ka bërë asnjë kallëzim penal. Asnjë! Të njëjtët thonë sot se hetimi për Koçanin është farsë dhe në këtë gjoja ‘farsë’ tashmë kemi mbi 50 të dyshuar. Ata flasin për disfatë morale, simpatizantët e BDI-së që shtatë vite ishin bashkëpunëtorë të heshtur në shembjen e shtetit dhe sot pa asnjë grimë turpi po mundohen të paraqiten si zëri i ndërgjegjes. Hipokrizia nuk njeh kufi, dhe LSDM-ja duhet ta dijë se kujtimi i qytetarëve të Maqedonisë nuk është aq i shkurtër sa do të donin”, thekson Toshkovski në postim.

Për partinë E majta, ministri tha se është vetëm mjet i strukturave të njëjta të cilat Maqedonisë ia morën të ardhmen. 

“Sot, kur sistemi po pastrohet përfundimisht, E majta ka braktisur parimet e saj të pretenduara dhe ka qëndruar në mbrojtje të atyre që akuzonte deri dje. Dhe kjo nuk është për shkak se ata janë një parti e re me vizion, por sepse mbijetojnë më së miri në kohën kur sistemi është i tronditur dhe besimi i qytetarëve në institucionet vritet nga aleatët e tyre dikur të fshehtë, por tani të dukshëm”, tha Toshkovski.

Interpelancën e parashtruar dje nga E majta, nuk e vlerësoi si kërcënim, por si kompliment se përfundimisht drejtësia i prek ata të cilët mendonin se përgjithmonë do të mbeten të paprekshëm. 

“Dita e djeshme tregoi më së miri se ku jemi dhe pse po godasin kaq fort. Nuk sulmohet dikush që nuk përbën kërcënim, sulmohet dikush që vërtet ndryshon diçka. Kushdo që nuk pranon të jetë pjesë e sistemit të tyre komod të heshtjes, mosndëshkimit dhe mbrojtjes reciproke. Kjo është arsyeja pse unë nuk i shoh këto sulme si një kërcënim, por si një kompliment që drejtësia më në fund arriti tek ata që menduan se do të mbeten përgjithmonë të paprekshëm”, ka shkruar Toshkovski.

Për ministrin, kjo është betejë e të gjithë qytetarëve të cilët, thotë ai, 30 vjet jetojnë në shtet në të cilin elita politike luante futboll në zyra dhe e godiste Maqedoninë si top.  

“Sot, në vend që ta godasin shtetin si të duan, ligji ka filluar t'i godasë pikërisht aty ku i dhemb më shumë. Prandaj ecim përpara, me vizion të qartë, me vendosmëri edhe më të madhe. Drejtësia filloi të trokasë në derën e kujtdo që mendonte se nuk do ta vizitonte kurrë. Dhe ajo drejtësi nuk do të kthehet pa rezultate”, ka shkruar Toshkovski.

Thotë se nëse sulmet janë çmim që duhet ta paguajmë për këtë, atëherë ai është i gatshëm që çdo ditë ta paguaj, sepse, thotë, kjo nuk është vetëm betejë politike. 

“Kjo po e kthen Maqedoninë aty ku e ka vendin, në duart e qytetarëve, jo në duart e kriminelëve. Maqedonia duhet të jetë vend ku përgjegjësia nuk ka ngjyrë partiake dhe drejtësia nuk ka çmim. Pikërisht Maqedonia është qëllimi për të cilin ia vlen të durohen të gjitha këto sulme. Dhe më në fund do ta ndërtojmë atë Maqedoni së bashku me qytetarët”, theksoi Toshkovski në postim. 

 

Partitë opozitare kërkuan dorëheqje si përgjegjësi morale pas tragjedisë që ndodhi në Koçan, duke e theksuar institucionin që ishte përgjegjës për sigurinë, që është Ministria e Punëve të Brendshme. Ata besojnë se drejtësia është selektive dhe se funksionarët e afërt me VMRO-DPMNE-në po mbrohen. E majta ka parashtruar dje një interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme. Shkak i interpelancës është deklaruar se ai si ministër i  Punëve të Brendshme ka neglizhuar dhe ka kryer në mënyrë të joadekuate detyrën e tij publike, duke vepruar në mënyrë joprofesionale, të paskrupullt dhe të papërgjegjshme, gjë që ka sjellë një sërë veprimesh të paligjshme, skandale dhe transferime të personelit në MPB. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR