• e hënë, 17 mars 2025

Toshkovski: Në zjarrin në Koçani 51 të vdekur, mbi 100 të lënduar

Toshkovski: Në zjarrin në Koçani 51 të vdekur, mbi 100 të lënduar

Shkup,  16 mars 2025 (MIA) - Pesëdhjetë e një persona kanë vdekur, ndërsa mbi 100 janë lënduar nga zjarri i mbrëmshëm në një diskotekë në Koçan, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Sipas informacioneve fillestare, zjarri është shkaktuar nga shkëndija nga mjetet piroteknike të përdorura për efektet e ndriçimit në koncert. Shkëndijat përfshinë pjesën e tavanit nga materiale lehtësisht të ndezshme, pas së cilës zjarri u përhap me shpejtësi në të gjithë diskotekën, duke krijuar tym të dendur.

"Më 16.03.2025, rreth orës 02:35, nga nëpunësi policor nga DPB Koçani i cili në momentin ka vepruar sipas planit për kontrollin e objekteve hoteliere në diskotekën “Pulse” në Koçan, në Stacionin Policor të Koçanit është marrë informacioni se në diskotekë ka shpërthyer zjarr teksa po mbahej koncerti i grupit DNK", deklaroi Toshkovski.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, siç tha, shërbimi kujdestar në Stacionin policor Koçan ka njoftuar Njësinë territoriale të zjarrfikësve dhe Ndihmën urgjente mjekësore, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje brenda një kohe të shkurtër dhe kanë nisur dhënien e ndihmës së parë dhe evakuimin e të pranishmëve.

"Sipas informacioneve fillestare që kemi, zjarri ka rënë si pasojë e shkëndijave të mjeteve piroteknike që janë përdorur për efektet e ndriçimit në koncert. Në momentin që janë aktivizuar të ashtuquajturat spërkatëse, shkëndijat me shumë gjasa kanë përfshirë tavanin, i cili ishte bërë nga një material lehtësisht i ndezshëm, pas së cilës zjarri u përhap në të gjithë diskotekën në një kohë shumë të shkurtër dhe u krijua tym i dendur. Brenda një kohe të shkurtër në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe Ndihma urgjente mjekësore nga qytetet fqinje dhe të cilët kanë ndihmuar të lënduarit, ndërsa menjëherë janë aktivizuar edhe helikopterët e MPB-së për transportimin e të lënduarve në klinikat e Shkupit, tha ai.

Ai shtoi se MPB-ja po merr të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për këtë tragjedi.

"Mbetemi në terren për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për të gjithë të prekurit. Me këtë rast dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për më të afrëmit  e atyre që humbën jetën në këtë tragjedi, mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e tyre", tha Toshkovski. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR