• e premte, 05 dhjetor 2025

Toshkovski dhe Poklukar: Bashkëpunim i shkëlqyer në fushën e sigurisë, Sllovenia jep mbështetjen e saj në çdo hap

Toshkovski dhe Poklukar: Bashkëpunim i shkëlqyer në fushën e sigurisë, Sllovenia jep mbështetjen e saj në çdo hap

Ohër, 28 gusht 2025 (MIA)- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në Ohër realizoi takim pune me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Sllovenisë të kryesuar nga ministri Boshtjan Poklukar.
 
"Në takim, fokusi ka qenë i vendosur në avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe thellimin e lidhjeve miqësore të shkëlqyera ndërmjet dy ministrive dhe policive në luftën kundër krimit të organizuar, situatën me migracionin ilegal, kontrollin e brendshëm dhe bashkëpunimin ndërmjet qendrave të trajnimit të nëpunësve policorë. Delegacioni i Maqedonisë në takim propozoi nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Qendrës së trajnimit të MPB-së dhe Akademisë policore të Sllovenisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe trajnimeve të përbashkëta të kadetëve dhe nëpunësve policorë të të dyja policive”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
Ministri Toshkovski i shprehu mirënjohje ministrit Poklukar për gjithë mbështetjen që Sllovenia dhe ministria e saj e Punëve të Brendshme vazhdimisht ia japin ministrisë dhe vendit, si në përballjen e zjarreve vitin e kaluar dhe këtë vit, ashtu edhe për gjithë ndihmën që na ofruan në përballjen e pasojave nga tragjedia që ndodhi në Koçan këtë vit.

“Republika e Sllovenisë dhe ministria e tyre janë ndër partnerët dhe mbështetësit kryesorë në reformat që po i realizojmë, përmes shfrytëzimit të dijes dhe përvojës së tyre, si për ligjet e reja për policinë dhe punët e brendshme. Po fillojmë bashkëpunim edhe në nismën tonë për hapjen e një Shoqate rajonale të Akademive policore, trajnime për nëpunësit policorë me qëllim profesionalizimin, edukimin e mëtejshëm për krijimin e një policie efikase evropiane”, ka thënë Toshkovski.
 
Toshkovski theksoi se përmes ministrit Poklukar, Sllovenia mike edhe një herë e konfirmon mbështetjen e saj si një nga përkrahësit tanë më të mëdhenj në procesin e integrimeve evropiane, duke u angazhuar me të gjithë ekipin e tij që të jenë në dispozicion të nëpunësve policorë të Maqedonisë dhe MPB-së në përmbushjen e të gjitha kushteve dhe kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
 
Nga ana tjetër, ministri slloven i Punëve të Brendshme, Boshtjan Poklukar, theksoi miqësinë dhe bashkëpunimin e madh ndërmjet popujve dhe shteteve tona, i cili reflektohet edhe në ministritë e Punëve të Brendshme, dhe nënvizoi se edhe në të ardhmen mund të llogarisim në mbështetjen e tyre të plotë, si në përvojë dhe dije, ashtu edhe në projekte konkrete dhe situata, me qëllim të kontributit për një siguri më të madhe të rajonit, shteteve dhe popujve tanë.

“Vlerësimi ynë është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia e Maqedonisë po bëjnë një punë të shkëlqyer, dhe këtë gjithmonë e kam theksuar edhe në Evropë si anëtar i Këshillit të ministrave të Punëve të Brendshme të Evropës. Idetë e shkëlqyera për Shoqatën rajonale të Akademive policore do t’i mbështesim dhe do të marrim pjesë në to për të krijuar polici profesionale në Ballkan, për një rajon më të sigurt për të gjithë. Ne tashmë jemi aleatë së bashku në NATO-n dhe mbështetja jonë do të vazhdojë në çdo hap tuajin drejt anëtarësimit në shoqërinë tonë evropiane të kombeve, aty ku është edhe vendi juaj”, theksoi ministri slloven Poklukar.
 
Poklukar theksoi se Sllovenia e mbështet plotësisht Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt Bashkimit Evropian dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në këtë rrugë evropiane, e cila në fund sjell përfitime të mëdha për qytetarët dhe funksionimin e institucioneve. Ai shprehu shpresën që vendi i merituar i Maqedonisë në BE të vijë sa më shpejt.

Foto: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR