• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tomovska: Në kordinim me policinë financiare do të vendosim nëse do të zgjerohet mbikëqyrja inspektuese në M-NAV

Tomovska: Në kordinim me policinë financiare do të vendosim nëse do të zgjerohet mbikëqyrja inspektuese në M-NAV

Shkup, 15 janar 2024 (MIA) - Drejtoresha e Inspektoratit shtetëror të Punës, Vesna Tomovska informoi se mbikëqyrja në M-NAV është bërë në përputhje me vendimin e Qeverisë, ndërsa duke marrë parasysh se është një mbikëqyrje më e gjerë, koha më e shkurtër në të cilën mund të përgatitet procesverbali është një javë. Ajo dërgoi apel që hetuesit të lihen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, të konfirmohen të gjitha faktet dhe provat që të mos dalin spekulime të mëtejshme në opinion.

Tomovska pas brifingut të sotëm me gazetarët njoftoi se Inspektorati në vitet e kaluara nuk ka kryer kontrolle në M-NAV. Ajo shtoi se duke marrë parasysh se policia financiare ka kryer vëzhgime edhe në M-NAV, me siguri do të duhet të koordinohen edhe me policinë financiare, për të vendosur nëse mbikqyrja do të zgjatet apo do të mbetet dhe kush nga dy organet do t'i kryejë kontrollet shtesë inspektuese.

"Mbikqyrja në M-NAV është bërë sipas vendimit të Qeverisë. Dhe po, në vitet e kaluara nuk kemi kryer kontrolle inspektuese. Megjithatë, pa dallim nëse do të kishte vendim të tillë, Inspektorati vepron edhe sipas informatës së arritur në kushte kur ka parregullsi të caktuara që tregojnë në pjesën e të drejtave të marrëdhënies së punës", tha Tomovska.

E pyetur nëse hetimi do të zgjerohet në M-NAV për shkak të akuzave se aty janë të punësuar familjarë të zyrtarëve të caktuar, Tomovska tha se kur bëhet fjalë për një punonjës, irelevante është se kush është farefis i kujt. Mbikëqyrja, ashtu siç tha, kryhet në mënyrë dhe procedurë konform ligjit.

Megjithatë, ajo shtoi se Inspektorati nuk bën hetime. Ashtu siç tha, Inspektorati kryen inspektime, ndërsa një organ tjetër është përgjegjës për hetimin.

"Kur bëhet fjalë për një punonjës, për ne nuk ka rëndësi se i afërm i kujt është. Për ne të gjithë janë të punësuar. Pra, nëse ka shkelje të një të drejte nga marrëdhënia e punës ose nga një procedurë e paligjshme punësimi, në atë rast për ne është i rëndësishëm termi i punësuar dhe punëtor. Për ne është irelevante nëse ai është i afërm i dikujt. Domethënë, mbikëqyrja do të bëhet në mënyrë dhe procedurë sipas ligjit. Inspektorati nuk kryen hetime. Inspektorati kryen inspektime. Një autoritet tjetër është përgjegjës për hetimin", shtoi Tomovska.

Në pyetjen se kur pritet të jetë i gatshëm raporti nga mbikëqyrja inspektuese, Tomovska tha se për një inspektim kaq më të gjerë, periudha më e shkurtë kohore në të cilën mund të përgatitet raporti është një javë.

"Sipas Ligjit për mbikëqyrje Inspektuese, ne kemi afat për përgatitjen e inspektimeve të tilla për një periudhë më të gjatë kohore. Pra, le t'i lëmë inspektorët të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale, t'i vërtetojmë të gjitha faktet dhe dëshmitë që opinioni të mos ketë spekulime të mëtejshme se si dhe çfarë ka ndodhur në procedurat e punësimit te punëdhënësi", theksoi Tomovska. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR