Taravari: Terapia biologjike në onkologji do të jetë në dispozicion deri në fund të kësaj jave
- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë për TV24, tha se terapia biologjike që mungon në Onkologji do të jetë në dispozicion deri në fund të kësaj jave.
- Post By Fami Bajrami
- 13:06, 28 janar, 2025
Shkup, 28 janar 2025
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë për TV24, tha se terapia biologjike që mungon në Onkologji do të jetë në dispozicion deri në fund të kësaj jave.
“Sasia e terapisë biologjike këtë vit ishte më e madhe se vitin e kaluar. Barna kishte më shumë se vitin e kaluar, por kërkesa e pacientëve është rritur. Pa krijuar një regjistër të pacientëve që trajtohen, nuk do të kemi një parashikim të saktë për vitin e ardhshëm”, tha Taravari.
Sipas tij, për të reduktuar numrin e personave që vuajnë nga ndonjë lloj kanceri, duhet të punohet në parandalim. Ministri Taravari, bëri të ditur se nga ky vit do të rritet shuma e paguar për mjekët e familjes nga 75 në 100 denarë për pacientë.
“Duke rritur shumën për pacientë për mjekët e familjes do të kërkojmë që ata të punojnë në parandalim”. “Pra, nëse një grua e moshës 40 apo 50 vjeç është në grupin e rrezikut për kancerin e gjirit, ne do të kërkojmë që të insistojnë që të gjitha femrat e kësaj kategorie t’i nënshtrohen ekzaminimit, njësoj për kancerin e prostatës tek meshkujt nga 40 deri në 50 vjeç. Është koha e fundit që vendi ynë të investojë në programe parandaluese”, tha Taravari.
Në SHBA nuk shfrytëzova asnjë denarë të shtetit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë për TV24, tha se udhëtimi në SHBA me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, ishte privat dhe nuk ishte pjesë e delegacionit qeveritar. Sipas tij, i gjithë udhëtimi ka qenë me shpenzimet e tij dhe ftesa është siguruar nga miqtë atje.
“Kam pasur rastin të shoh se si është festuar dita e inaugurimit të Presidentit, por nuk kam mundur të marr pjesë në të gjitha ngjarjet. Isha në mëngjes dhe darkë inauguruese, isha edhe në ballo, pata rastin të jem pjesë e asaj feste me disa miq. Aty nuk e kam takuar kryeministrin Mickoski sepse kam qenë për një kohë shumë të shkurtër në SHBA dhe nuk kam qenë pjesë e delegacionit qeveritar. Kam shkuar në një vizitë private dhe nuk kam shfrytëzuar asnjë denarë për ndonjë udhëtim pune”, tha Taravari.
Ai shtoi se të gjitha takimet që kryeministri Mickoski ka pasur atje kanë qenë për të mirën e vendit.
Nënshkruan marrëveshje kolektive me mjekët
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një intervistë për TV24, ka folur rreth specializantëve privatë dhe marrëveshjes kolektive me mjekët. Ministri Taravari tha se për atë këto dy çështje kanë qenë prioritet i tij i parë kur ka marrë detyrën.
“Gjatë vitit 2017 kam qenë 100 ditë ministër i Shëndetësisë dhe atëherë specializantët privat ishin deri tek unë që dëshironin të punësoheshin dhe që atëherë ai problem është zvarritur dhe tani e zgjidhëm. Njëjtë në vitin 2017, sindikatat ishin deri tek unë dhe kanë kërkuar marrëveshje kolektive t’ju nënshkruhet, por atëherë nuk munda ta kryej për 100 ditë, kaluan edhe shtatë vjet, për ta nënshkruar tani para Vitit të Ri dhe pagat e tyre tani nga një nëntori i vitit të kaluar janë rritur”, tha Taravari.
Ministri Taravari, tha se më së shumti pagat janë rritur ndaj infermiereve me rreth 18 për qind dhe mjekëve me katër për qind. Ai bëri të ditur se edhe gjatë muajit maj apo qershor do të ketë një rritje tjetër nga 5-8 për qind.
Viti 2024 me numrin më të vogël të vdekjeve të fëmijëve në Klinikë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i pranishëm në një intervistë për TV24, tha se vdekshmëria në Klinikën e Fëmijëve në vitin 2024 ka qenë më e vogla në krahasim me vitet e kaluara që nga viti 2014. Taravari potencoi se nuk duhet të tolerohet asnjë lëshim mjekësor.
“Por deri më tani në përjashtim të një rasti, te të tjerët nuk është konstatuar ndonjë lëshim mjekësor nga mjekët. Duhet të shohim edhe në Shtip dhe Prilep se si qëndron rasti, por unë deri më tani nuk kam njoftime nga Komisioni Profesional se çfarë mendimi kanë dhe nëse ka lëshim mjekësor duhet të merren masa konkrete”, deklaroi Taravari.
Do të rinovojmë disa reparte në Tetovë dhe spital të ri në Kërçovë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, i pranishëm në TV24 emisionin Analiza, deklaroi se Qendra Klinike nuk është as në plan këtë vit. Siç tha ministri Taravari, këtë vit projektet infrastrukturore me projekte strategjike janë ndërtimi i spitalit në Strumicë, renovimi i disa reparteve në Tetovë dhe Shtip dhe Kërçovë nëse do mund të fillohen këtë vit.
“Sa i përket Qendrës Klinike duhet të shohim se a mund të planifikojmë buxhetin për vitin 2026. Për fat të keq në Kërçovë kolegët tanë punojnë në kushte të këqija dhe spitali është ndërtuar viteve ’40-50. Dhe me të vërtet nëse shohim se si duket ajo dhe ku kontrollohen qytetarët tanë është katastrofale”, u shpreh Taravari.
Do të lidhim bashkëpunim me disa klinika në SHBA
Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari, ka deklaruar se edhe gjatë kësaj fundjave do të udhëtojë përsëri në SHBA për të marrë pjesë në mëngjesin e lutjeve të Trump. Përveç kësaj, ai paralajmëroi një vizitë në disa klinika me të cilat shpreson të bashkëpunojë.
“Do të vizitoj tre klinika me të cilat po mundohem të krijoj një bashkëpunim në mënyrë që pacientët tanë të marrin mendime të dyta nga mjekët në ShBA. Do të jetë për pacientët me sëmundje më të rënda, të cilët do të kenë mundësinë t’i dërgojnë të gjitha materialet dhe rezultatet te mjekët në SHBA dhe më pas të marrin një opinion të dytë përmes një takimi online”, tha Taravari.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në shkurt të këtij viti do të nënshkruhen edhe dy marrëveshje me SHBA-në që do të sjellin përfitime për shëndetësinë maqedonase.
Të gjithë në Qeveri janë për ndryshime kushtetuese, kërkohet garanca
Kryetari i ASH-së dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari, në emisionin Analiza në TV24, ka folur rreth integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe mundësitë e vendit për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE.
Ai tha se për fat të mirë kjo qeveri dhe Mickoski janë të orientuar nga BE-ja dhe perëndimi.
“Për fat të keq deri më tani nuk kemi pasur qeveri politike në Bullgari. Ne mund të insistojmë sa të dëshirojmë që të ndodhin ndryshimet kushtetuese por pa votat e VMRO-DPMNE nuk mund të bëhen. Nuk ka opsion tjetër. Atë që e kërkon kryeministri Mickoski është e drejtë, pra të ketë garanci që nuk do të ketë bllokada tjera”, nënvizoi Taravari.
Ai tha se Mickoski ka deklaruar se është i gatshëm që sot të filloj ndryshimet kushtetuese, por të na garantojnë se nuk do të ketë kushtëzime tjera.
______________________________________________________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.