Taravari: Secili që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi
- Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot përmes kumtesës ka reaguar lidhur me arrestimin e drejtorit të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, për marrjen të ryshfetit.

Shkup, 8 prill 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot përmes kumtesës ka reaguar lidhur me arrestimin e drejtorit të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, për marrjen të ryshfetit.
"Duke pasur parasysh se personi M.A është propozuar nga ASH për zgjidhje të përkohshme për drejtor të ISHP Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative “13 Nëntori Shkup”, konsiderojmë të nevojshme të njoftojmë si në vijim: ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike", theksohet në reagimin e Taravarit/
Ai thekson se dhënia e drejtësisë duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore.
"Aleanca për Shqiptarët mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin rrënjësor të sistemit shtetëror, me qëllim që të gjitha dukuritë devijante të minimizohen. Populli shqiptar nuk meriton të përfaqësohet nga persona që eventualisht përpiqen të pasurohen në mënyrë të paligjshme mbi vuajtjet shëndetësore të qytetarëve. Kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet që ne përfaqësojmë. Organet partiake të Aleancës për Shqiptarët do të ndërmarrin të gjitha hapat statutare të nevojshme për ruajtjen e imazhit dhe integritetit të partisë", theksoi Taravari.
Ministria e Shëndetësisë sot pasdite ka kërkuar zbardhjen e rastit nga Prokuroria Publike lidhur me pretendimet për marrje ryshfeti nga një person në pozitë udhëheqëse në një institucion shëndetësor publik.
"Ministria e Shëndetësisë është në dispozicion nëse kërkohen çfarëdo lloj informacionesh në bazë të detyrës zyrtare. Prioriteti ynë mbetet ofrimi i kujdesit më të përshtatshëm për të gjithë pacientët në institucionet shëndetësore publike", thonë nga Ministria pas informatave se u arrestua drejtori i Spitalit geriatrik "13 Nëntori", Muhsin Arifi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria informuan se në aksion të koordinuar janë arrestuar dy persona me dyshim për vepra penale "marrje të rryshfetit" dhe "marrje të shpërblesës për ndikim kundërligjor".
Prokuroria theksoi se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Arifi është emëruar për u.d. drejtort i Geriatrisë në korrik të vitit të kaluar nga ministri i Shëndetësisë Arben Taravari. Paraprakisht ka qenë drejtor i spitalit psikiatrik në Bardovc. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s