Taravari: Jemi pjesë e VLEN-it, do të tentojmë deri në fund të gjejmë zgjidhje, nëse jo dalim vetë në zgjedhje
- Ngjarjet në këtë moment në politikë janë dinamike dhe duhet të merren vendime të arsyeshme, tha Arben Taravari para fillimit të Kuvendit partiak të Aleancës për Shqiptarët që sot mbahet në Gostivar.
- Post By Fami Bajrami
- 15:05, 6 prill, 2025

Gostivar, 6 prill 2025 (MIA) – Ngjarjet në këtë moment në politikë janë dinamike dhe duhet të merren vendime të arsyeshme, tha Arben Taravari para fillimit të Kuvendit partiak të Aleancës për Shqiptarët që sot mbahet në Gostivar.
Mes risive ka qenë ardhja e Isen Shabanit, kryetarit aktual të komunës së Vrapçishtit i cili deri dje ishte edhe nënkryetar i partisë së krahut të Ziadin Selës.
Në pyetjen e gazetarëve për koalicionin me partitë e tjera të shqiptarëve në Maqedoni, Taravari tha se janë partnerë të koalicionit.
“Ne jemi pjesë e VLEN-it, do të mundohemi deri në fund të gjejmë zgjidhje, nëse jo do të shkojmë vetë në zgjedhje”, tha Taravari.
Ai konfirmoi se me Izet Mexhitin ka pasur një takim katër ditë më parë dhe se biseda ka qenë konstruktive dhe ka zgjatur gati dy orë. Taravari poashtu ka konfirmuar se ka pasur takim edhe me liderin e BDI-së opozitare, Ali Ahmeti kur ka takuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
"Në atë takim vetëm jemi përshëndetur, siç dikton sjellja në raste të tilla. Unë do të përshëndetesha me çdo politikan përveç me liderin e Të Majtës", thekson Taravari.
Isen Shabani duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për prezencën e tij dhe kandidimin e mundshëm për zgjedhjet e ardhshme tha se planifikon të jetë kandidat i pavarur dhe të kërkojë mbështetje nga krahu i Taravarit.
"Sot mora guximin që të shmang të gjitha dilemat për ASH-në që të jetë sa më shumë e bashkuar", ka thënë Shabani.
Sipas paralajmërimeve se Shabani është kandidat i mundshëm për mandat të tretë për kryetar të komunës së Vrapçishtit, ai me përgjigje: Nuk mund të jem nënkryetar partie derisa të paraqes kandidaturë të pavarur, tha Shabani.
Në rendin e ditës para anëtarëve të partisë është debati për situatën aktuale politike, për zgjedhjet lokale, ndërsa është miratuar edhe deklaratë për tragjedinë në Koçan.
Foto: MIA