• e premte, 22 nëntor 2024

Taravari: Gostivari e ka qendrën më të mirë në rajon për trajtimin e fëmijëve autikë

Taravari: Gostivari e ka qendrën më të mirë në rajon për trajtimin e fëmijëve autikë

2 prill  

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, në Gostivar u organizua   panel diskutimi mbi “Autizmin, të arriturat, sfidat dhe institucionet”. Të pranishmit folën edhe mbi trajtimin e nxënësve autikë në institucionet arsimore në komunën e Gostivarit. I pranishëm në panel, kandidati për president njëherit edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari potencoi se si pushtet lokal kanë arritur brenda pak vitesh në Gostivar të ngriten dy qendra për personat autikë, “Blue Puzzle” dhe Qendrën Multifunksionale, qendra këto, që siç ai tha, janë të rralla në rajonin tonë më të gjerë. 

Valon Emini, drejtues i shoqatës “Blue Puzzle” tha se që nga themelimi i Qendrës për Autizëm e deri më sot në Gostivar, ajo ka funksionuar pa asnjë pengesë dhe tërësisht e depolitizuar. Pos pushtetit lokal, qendra ka mbështetje institucionale edhe nga MPPS dhe shumë donatorë privat, shtoi Emini dhe theksoi se aktualisht janë duke trajtuar 40 fëmijë, ndërsa i gjithë shërbimi është falas. 

Panel diskutimi u organizua nga Departamenti për mbrojtje sociale, shëndetësore dhe mbrojtjen e fëmijëve pranë Komunës së Gostivarit. Imërlije Saliu nga ky departament bëri të ditur se gjatë këtij takimi njoftohet stafi inkluziv i shkollave mbi trajtimin e nxënësve autikë, obligimet ligjore ndaj këtyre nxënësve dhe të drejtat e prindërve të nxënësve me autizëm. 

 Diskutimi ishte interaktiv, ndërsa pjesë e panelit ishte edhe Afërdita Hamza - Udhëheqëse e Departamentit për mbrojtje sociale, shëndetësore dhe mbrojtjen  e fëmijëve në Komunën e Gostivarit;  Samir Gërble - Defektolog  dhe Zumreta Xhemaili -  Edukatore speciale dhe rehabilituese – logopede.

 Arben Taravari, Komuna e Gostivarit

__________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR