Taravari: Gjithsej 47 të lënduar do të hospitalizohen jashtë vendit, në ndihmë arrijnë specialistë kundër djegieve (PLT)
- Gjithsej 47 persona të lënduar nga zjarri në Koçan do të shtrohen në spitalet jashtë vendit, bëri të ditur sonte ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Nesër në ndihmë të vendit arrijnë specialistë nga Izraeli, Beogradi dhe Praga për të ndihmuar punonjësit e kujdesit shëndetësor në vend.
- Post By Fami Bajrami
- 20:39, 16 mars, 2025

Shkup, 16 mars 2025 (MIA) - Gjithsej 47 persona të lënduar nga zjarri në Koçan do të shtrohen në spitalet jashtë vendit, bëri të ditur sonte ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Nesër në ndihmë të vendit arrijnë specialistë nga Izraeli, Beogradi dhe Praga për të ndihmuar punonjësit e kujdesit shëndetësor në vend.
Siç deklaroi Taravari, sipas informacioneve që disponon ai, katër deri në pesë persona të lënduar kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikat private.
Taravari informoi se të gjithë 115 pacientët që trajtohen në spitalet e Maqedonisë janë në gjendje stabile dhe të mirë. Disa nga të lënduarit janë lëshuar në trajtim shtëpiak.
Ministri bëri të ditur se tre persona po trajtohen në Selanik, 14 në Bullgari, dy në Serbi dhe tre në Stamboll, ndërsa gjashtë të tjerë do të nisen sonte me aeroplan drejt Turqisë. Katër pacientë sonte do të udhëtojnë me aeroplan për në Kroaci si dhe në Beograd 12 persona plus tre.
"Nesër në ndihmë vijnë kolegë specialistë kundër djegieve dhe kujdesit intensiv nga Izraeli, Beogradi dhe Praga, duke ndihmuar kolegët tanë që punojnë dhe japin maksimumin e tyre. Ka disa pacientë që kanë nevojë për mbështetje oksigjeni, por mendoj se të gjithë janë në gjendje stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, këto janë situata që nuk janë të parashikueshme", ka thënë Taravari.
Drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski, njoftoi se pacientët në Selanik janë stabil dhe trajtimi i tyre tashmë ka filluar. Siç tha ai, jashtë vendit dërgohen jo vetëm pacientë kritikë, por edhe të tjerë për të siguruar kapacitet në Qendrën klinike.
"Në opinion është folur për nevojën e aktivizimit të Mekanizmit evropian të emergjencave, vlerësimi në këtë moment është se nuk ka nevojë. Por konsiliumi vendos për çështjet profesionale", nënvizon Klekovski.
I pyetur nga gazetarët se çfarë po ndodhë me Qendrën e djegieve, ai u përgjigj se bëhet fjalë për fatkeqësi të përmasave që asnjë qendër e vendit nuk do të mund ta përballonte.
Edhe sikur të kishim një Qendër për djegie, tha ai, do të ishte për disa pacientë. Për fatkeqësi të këtyre përmasave, asnjë qendër lokale siç tha ai, nuk do mund ta përballonte.
Foto dhe video: MIA