• e hënë, 23 dhjetor 2024

Taravari: Garazhet në kate në Qendrën Klinike do të ndërtohen me partneritet publiko-privat

Taravari: Garazhet në kate në Qendrën Klinike do të ndërtohen me partneritet publiko-privat

Shkup, 4 tetor 2024 (MIA) – Hapja e Repartit të Onkologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, garazhet në kate në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” dhe rinovimi i hapësirave të klubit të parë social për adoleshentë dhe të rritur me spektër autik, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë dhe Komunës Gjorçe Petrov, janë një pjesë e projekteve në të cilat punon Ministria e Shëndetësisë, ndërsa të cilat sot i theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencën për media me rastin e 100 ditëve të emërimit të tij në funksion. 

Ai informoi se vijon përgatitja e specifikimit teknik për ndërtimin e garazheve në kate dhe se do të ndërtohen përmes partneritetit publiko – privat.

“I kemi kaluar të gjitha procedurat e Qeverisë, e kemi trashëguar projektin. Tani do të shpallet partneritet publiko-privat për të ndërtuar të paktën dy garazhenë kate, gjegjësisht 800 deri në 900 vende parkimi shtesë. Aktualisht Qendra Klinike ka 800 vende parkimi, në këtë mënyrë do të kishte mbi 1.600 vende parkimi, që mendoj se do të jetë shumë më e relaksuar për të gjithë ata që punojnë dhe vijnë si pacient në Qendrën Klinike. Ne nuk mund të përshpejtojmë procedurat. Ne duhet të respektojmë të gjitha normat ligjore. Ne do të përpiqemi që i gjithë procesi të jetë sa më transparent dhe sa më shpejt të jetë e mundur ta përfundojmë procedurën. Të paktën, nëse mundemi, nga fillimi i vitit të ardhshëm të shfrytëzohen garazhet”, theksoi Taravari.

Ai foli edhe për një pjesë të projekteve dhe investimeve të realizuara gjatë 100 ditëve të kaluara duke e përmendur zgjerimin e Listës pozitive me ilaçe të reja, punësimin e specialistëve që do të shkojë në dy etapa... 

“Angazhimi ynë është që kuadri i ri shëndetësor në mënyrë aktive të përfshihet në shëndetësinë publike. Në bashkëpunim me fakultetet e mjekësisë, punojmë në zgjidhje ligjore për stimulimin e studentëve më të mirë të mjekësisë, menjëherë pas diplomimit të punësohen në shëndetësinë publike”, theksoi Taravari.

Ai tha se me Ministrinë kroate të Shëndetësisë ishte nënshkruar plan për bashkëpunim në shumë segmente, ndërsa përmendi edhe se janë siguruar 10 milionë euro për pastrimin e ajrit në të gjitha institucionet publike shëndetësore, në bashkëpunim me zyrën rajonale të Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektuese (UNOPS).

“Realizuam gjithashtu disa investime kyçe në pajisje të reja mjekësore dhe infrastrukturë në objektet shëndetësore publike në të gjithë vendin. Në Klinikën Universitare të Kirurgjisë Digjestive janë vendosur në sallat e operacionit aparatura të reja në vlerë prej një milion euro. Në Spitalin klinik në Manastir është bërë investim i ri në pajisje, në vlerë prej 18 milionë denarë. Në Klinikën e Sëmundjeve të Syve është vendosur një mikroskop kirurgjik i teknologjisë së fundit. Në Spitalin klinik - Shtip, janë siguruar pajisje moderne për procedura urologjike, në vlerë prej 12 milionë denarë”, shtoi ministri.

Theksoi se në tërësi është rinovuar edhe kabineti i audiometrisë në Qendrën e Rehabilitimit të Patologjisë së Komunikimit Verbal në Shkup, janë rinovuar hapësirat e Institutit të Radiologjisë, ndërsa në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve komplet është rinovuar ambulanca neurologjike. Në Spitalin klinik në Tetovë, siç tha, është zgjidhur problemi shumëvjeçar me lëshimin në përdorim të pesë ashensorëve të rinj dhe sanim të konstruksionit të çatisë. 

“Banorët e komunës së Ilindenit pas gjysmë shekulli marrin shtëpi shëndetësore - investim prej 16 milionë denarë. Një aparat i ri i rezonancës magnetike është siguruar në poliklinikën ‘Idadija’ në Shkup. Gjithashtu hapëm linjën e posaçme telefonike 072-899-001, për sugjerime dhe ide, raportim të parregullsive dhe një ditë e hapur për takime me qytetarët. Kemi kryer procedurën për sigurimin e një stacioni të ri kompresor për klinikat kirurgjikale. Po punohet edhe në rajonalizimin, përkatësisht në racionalizimin e shëndetësisë, në mënyrë që qytetarët të marrin sa më shumë shërbime shëndetësore në spitalet klinike - Tetovë, Shtip, Manastir, si dhe në spitalet e përgjithshme dhe të veçanta në brendësi”, shtoi Taravari. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR