• e diel, 22 dhjetor 2024

Taravari: Do të mbështesnim edhe Qeveri të pakicës, por jemi të gatshëm edhe të udhëheqim me institucione të caktuara

Taravari: Do të mbështesnim edhe Qeveri të pakicës, por jemi të gatshëm edhe të udhëheqim me institucione të caktuara

Shkup, 2 shkurt 2023 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari sonte deklaroi se për disa ditë do të dihet se a do të bëhen pjesë e Qeverisë ose jo. Kjo çështje, tha ai, nuk ka përfunduar. ASH-ja mund të mbështesë edhe qeveri të pakicës, por ata, thotë Taravari, janë të gatshëm që të marrin disa përgjegjësi dhe të udhëheqin me institucione.

"Mendoj se për disa ditë ne duhet të vendosim. Unë planifikoj që javën e ardhshme të mbledh Krysinë Qendrore dhe ta përfundojmë këtë çështje", tha Taravari në emisionin "Vin Vin" në TV Telma.

Po marrim porosit të qarta, thotë ai, se nuk është mirë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në vitin 2023, duke theksuar se ata do të mbështesin edhe qeveri të pakicës pa marrë post ministror apo drejtor dhe të jenë rezervë për Qeverinë, duke siguruar kuorum në Kuvend, ndërsa Qeveria të përpiqet të bëjë 80 deputetë për ndryshime kushtetuese.

"Edhe këtë e kemi ofruar dhe publikisht e them, megjithatë jemi të gatshëm të marrim edhe disa përgjegjësi dhe eventualisht të udhëheqim me disa institucione", tha Taravari. 

Kryetari i ASH-së thotë se në takimet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski nuk është diskutuar fare për çështjet kadrovike. Në takimin e fundit, në pjesën më të madhe të kohës kanë folur për harmonizimin programor. Por, ai thotë se një nga qëllimet e tyre është lufta kundër korrupsionit dhe se me udhëheqjen e institucioneve të caktuara do ta tregonin këtë.

Me kryetarin e Alternativës, Taravari thotë se kanë komunikim relativisht të mirë dhe se janë takuar dy herë dhe se qëllimi i tyre nuk është që dikush të dalë nga Qeveria, por edhe ASH-ja të japë kontributin e saj ose nga jashtë ose nga brenda. 

Taravari thekson se periudha në të cilën ndodhemi si vend është pak më ndryshe nga ajo para shkurtit të vitit 2022. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë, sipas Taravarit, ka ndryshuar shumë gjëra dhe fillimi i procesit të skriningut të vendit, së bashku me Shqipërinë, na sjell në një situatë në të cilën nuk duhet të mendojmë vetëm për imazhin e partisë, por edhe për të mirën e qytetarit të rëndomtë dhe të shoqërisë.

Sipas tij, VMRO-DPMNE-ja sillet sikur ASH-ja duhet të mbesë në opozitë. 

"Me këtë duam t'i dërgojmë një porosi VMRO-DPMNE-së. VMRO-DPMNE, nga njëra anë, mbetet me Levicën dhe tashmë janë, të them, për fat të keq, stigmatizuar se thjesht po bllokojnë procesin për shkak të një çështjeje të paqartë. Në anën tjetër, ata nuk mendojnë se nëse Maqedonia nuk i fillon negociatat deri në fund të vitit, ajo do të jetë edhe më tragjike për vendin dhe për njerëzit", tha Taravari.

Sipas tij, me 64 deputetë, shumë më rëndë mund të arrihet numri prej 80 deputetëve. 

"Me numër konkret 70 apo 72, plus Besën që mendoj se do të votonte njësoj si Aleanca, pavarësisht nëse janë pozitë apo opozitë. Mendoj se është shumë më e lehtë të arrihen 80 deputetë nga 72 apo 74 sesa në këtë situatë që është shumica aktuale", deklaroi Taravari, sipas të cilit që të ketë ndryshime kushtetuese, do të duhen të paktën edhe tetë vota. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR