• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Takimi Kovaçevski - Borell: Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë dhe varet nga të gjithë aktorët politikë, pa justifikime

Takimi Kovaçevski - Borell: Anëtarësimi në BE është qëllimi ynë dhe varet nga të gjithë aktorët politikë, pa justifikime

Shkup, 29 nëntor 2023 (MIA) - Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është synimi ynë dhe nuk kemi alternativë tjetër dhe kjo varet nga të gjithë ne, pra nga të gjithë aktorët politikë që kanë përgjegjësi në këtë vend, pa justifikime. Nesër do t'u dërgohet ftesë të gjithë kryetarëve të partive parlamentare dhe kryetarit të Kuvendit për takimin që do të mbahet të hënën, njoftoi sonte kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Zhozep Borell në prag të Takimit të 30-të Ministror të OSBE-së.

Në takim, siç informoi kryeministri, do të diskutohet për procesin e integrimit evropian, zgjedhjet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me vërejtjet e OSBE/ODIHR.

Kryeministri tha se në takimin me Borellin u diskutua për reformat më të rëndësishme dhe për procesin e integrimit evropian dhe e falënderoi për mbështetjen e fortë në rrugën tonë të integrimit evropian, për procesin e skriningut dhe për planin e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor.

"Ne pajtohemi qartë se integrimi ynë evropian duhet të vazhdojë dhe nuk do të ndalet deri në anëtarësimin e plotë në BE", tha Kovaçevski.

Ai ka theksuar se para takimit me Borellin ka pasur një takim me Blinken, i cili ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin tonë të plotë në Bashkimin Evropian.

Nënkryetari i Komisionit Evropian dhe përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Borell thekson se nuk duhet të ketë ndarje politike për çështjen e BE-së, se duhet të përfundojmë procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe të punohet në reformat kryesore.

"Do të sjellë përfitime për të gjithë popullin dhe për Maqedoninë e Veriut si shtet", tha Borell.

Ai vlerësoi pozitivisht miratimin e Rregullores së re të Punës me marrëveshje ndërpartiake, si dhe përpjekjet e Qeverisë për procesin e integrimit evropian.

Borell tha në pjesën hyrëse të deklaratës se vlerësojnë shumë përpjekjet e Maqedonisë së Veriut si kryesues me OSBE-në dhe vetë rolin e kësaj organizate e cila përfaqëson një platformë të përbashkët të Unionit, pavarësisht, siç tha ai, përpjekjeve të Rusisë për ta minuar atë.  Për praninë e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov në konferencën ministrore në Shkup, ai tha se duhet të dëgjojë pse BE-ja e dënon Rusinë dhe pastaj të kthehet në Kremlin dhe ta përcjellë atë.

"Ne nuk duam të humbasim aftësinë e punës së OSBE-së. Ju keni bërë një punë të mirë. E mirëpres propozimin që Malta të jetë kryesuesja e radhës", tha ndër të tjera Borell.

Kovaçevski dhe Borell zhvilluan takim bilateral në të cilin morën pjesë zëvendëkryetari për çështje evropiane Bojan Mariçiq dhe ambasadori evropian Dejvid Gir. sa/

FOTO: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR