Takim i përfaqësuesve të vendeve evropiane dhe arabe në Barcelonë për të diskutuar luftën midis Izraelit dhe Hamasit
- Delegacione nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore takohen sot në Barcelonë, Spanjë për të diskutuar për krizën në Gazë.
Barcelona, 27 nëntor 2023 (MIA) - Delegacione nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore takohen sot në Barcelonë, Spanjë për të diskutuar për krizën në Gazë.
Në ngjarjen e organizuar nga Unioni për Mesdheun marrin pjesë 42 delegacione, ndërsa shumë vende përfaqësohen nga ministrat e tyre të Punëve të Jashtme. Me takimin kryeson Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borrell dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Jordanisë, Ajman Safadi.
Izraeli nuk merr pjesë në takimin, i cili vitet e fundit është kthyer kryesisht në një forum bashkëpunimi midis BE-së dhe botës arabe. Takimi i sotëm duhej të fokusohej në rolin e Unionit për Mesdheun 15 vjet pasi u themelua, por ai ka marrë një rëndësi të re pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit ndaj Izraelit dhe pas luftës në Rripin e Gazës.
Safadi tha para ngjarjes se ai shpresonte se bisedimet do të ndihmonin "të kapërcejnë hendekun" midis vendeve arabe dhe evropiane në kërkesën që pauza humanitare në Gazë të bëhet një armëpushim i përhershëm.
Në këtë ngjarje është i ftuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princi Fajsal bin Farhan Al Saud.
Spanja është një nga vendet e BE-së që i bëri thirrje Izraelit të ndalojë ofensivën dhe në të njëjtën kohë dënoi sulmin e Hamasit. Kryeministri spanjoll Pedro Sançez vizitoi Izraelin javën e kaluar me homologun e tij belg dhe tha se ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja të njohin një herë e përgjithmonë një shtet të pavarur palestinez. Kjo bëri që Izraeli të thërriste ambasadorët e tij në Spanjë dhe Belgjikë për konsultime.
Unioni për Mesdheun është një organizatë ndërqeveritare e krijuar nga 27 anëtarë të BE-së dhe 16 vende të Mesdheut jugor dhe lindor, duke përfshirë Izraelin, Palestinën, të përfaqësuar nga drejtoria palestineze dhe të regjistruar në organizatë si Palestina, Egjipti, Libani dhe Jordania. ls/
Foto: DPA