• e hënë, 23 dhjetor 2024

Takim i ministrit Osmani me kryesuesin e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Bauer

Takim i ministrit Osmani me kryesuesin e Komitetit ushtarak të NATO-s, admiralin Bauer

Shkup, 4 shtator 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, realizoi takim me Kryesuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, admiralin Rob Bauer i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. 

Në takim u bisedua për sfidat aktuale të sigurisë, me fokus në agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe pasojat e saj, si dhe për masat të cilat i merr Aleanca me qëllim që t’i përshtatet realitetit të ri të sigurisë, që të përballet me sfidat dhe që të forcojë mbrojtjen dhe parandalimin. Në këtë kontekst, iu referuan Samitit të fundit të NATO-s në Vilnius dhe vendimeve të rëndësishme, të cilat i mblodhën liderët e vendeve anëtare, me çka edhe një herë u konfirmua uniteti i Aleancës.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut, si aleate kredibile mbetet e përkushtuar në vendosmërinë e saj për të kontribuar drejt paqes globale, sigurisë kolektive dhe stabilitetit të rajonit. Në këtë drejtim, theksoi kontributin tonë në misionet dhe grupet luftarake të NATO-s, si dhe vendosmërinë për të ndarë 2% nga BPV për mbrojtje.

Gjatë bisedës, theks i veçantë u vu në situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Aleanca mbetet e përkushtuar dhe e fokusuar në rajonin tonë, i cili është me rëndësi strategjike për NATO-n. Siguria dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet tona të politikës së jashtme dhe duke pasur parasysh këtë, ne marrim rol proaktiv në avancimin e proceseve të integrimit euroatlantik dhe ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit” – konkludoi Osmani.

Foto: MPJ

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR