• e premte, 18 tetor 2024

Takim i ministrit Murtezani me drejtorin e Programit rajonal në Shoqatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, Oberhuber

Takim i ministrit Murtezani me drejtorin e Programit rajonal në Shoqatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar, Oberhuber

Shkup, 16 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot zhvilloi takim me David Oberhuber, drejtor i Programit Rajonal në Shoqatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ), ku u diskutua statusi aktual i disa projekteve kyçe që janë pjesë e bashkëpunimit gjerman për zhvillim.

Në fokus të bisedimeve ishte projekti bilateral “Përkrahja e strukturave negociuese për integrim në BE të Maqedonisë së Veriut”, si dhe projekti rajonal “Bashkëpunimi rajonal për integrim në BE”.

Siç kumtuan nga Ministria e Çështjeve Evropiane, ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme gjermane, duke theksuar se Gjermania dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie të fuqishme strategjike bilaterale, të cilat karakterizohen me bashkëpunim të ngushtë politik, lidhje të ngushta ekonomike dhe shkëmbim kulturor dinamik.

"Ai theksoi rolin e rëndësishëm që ndihma gjermane për zhvillim e ka me vite në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushat kyçe të bashkëpunimit si sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal, posaçërisht përmes platformave siç është Procesi i Berlinit", thuhet në kumtesë.

Drejtori Oberhuber riafirmoi përkushtimin e GIZ-it për mbështetjen e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, në veçanti përmes projekteve të vazhdueshme bilaterale dhe rajonale. Në këtë kontekst u potencua projekti rajonal, i cili ka për qëllim të mbështesë procesin e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëbiseduesit konstatuan se ky projekt është platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe mësimeve të nxjerra në procesin e aderimit në BE.

Murtezani dhe Oberhuber ranë dakord se projektet ekzistuese janë shtylla të rëndësishme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe në mënyrë shtesë theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet GIZ-it dhe Ministrisë së Çështjeve Evropiane. bsh/

Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane

QËNDRONI TË LIDHUR